Juria e edicionit të pestë të filmit ndërkombëtar të filmit “Seanema”, që u mbajt në Ulqin, me anëtarë Ilir Butka, ish-Kryetari i Qendrës Kinematografike të Shqipërisë, Velisha Popoviq, producent nga Mali i Zi dhe Jovana Bojoviq, dramaturge po nga Mali i Zi, vendosën që çmimi si filmi më i mirë t’i shkonte filmit “Delegacioni” me regji nga Bujar Alimani. Në vendimin e jurisë, për filmin shpjegohej se bëhet fjalë për një histori komplekse dhe universale, ngjarja e së cilës është e vendosur në periudhën e rënies së sistemit komunist, dhe fillimin e demokracisë. “Filmin e karakterizon një gjuhë e theksuar filmike, shoqëruar me fotografi, regji, skenar dhe përzgjedhje aktorësh të shkëlqyer”, shprehet juria. Çmimi i regjisë i shkoi filmit “E punësuara” nga regjisori grek Nikos Labot. Filmat “Gjinjtë” me regji të Marija Peroviq dhe “Derë e hapur” me regji të Florenc Papas, morën çmimin e veçantë të jurisë. Filmat e përzgjedhur janë produkt i bashkëpunimeve ndërmjet Shqipërisë, Serbisë, Greqisë, Kosovës, Italisë, Maqedonisë së Veriut, Francës, Kroacisë dhe Malit të Zi. Disa prej tyre janë mbështetur prej Euroimage dhe SEE Cinema network, dhe përbëjnë një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit rajonal dhe rajonit me Europën. Juria e programit të filmave të shkurtër në konkurrim, e përbërë nga Dushan Kasalica, regjisor dhe producent malazez, Maja Shusha, aktore dhe drejtore artistike e festivalit “Baata fest” në Serbi, si edhe Nita Deda, producente dhe drejtore e festivalit Dokufest në Prizren, Kosovë, vendosën që çmimi i filmit më të mirë metrazh i shkurtër t’i jepet filmit “Furgoni” (The Van) me regji nga Erenik Beqiri. Sipas jurisë, “Furgoni” është një film i fuqishëm dhe bindës në të gjithë segmentet e tij, veçanërisht në performancën e protagonistit të filmit, i cili tregon historinë se deri ku mund të shkojë lufta për një jetë më të mirë, jo vetëm për individin por edhe për familjen. Çmimi i regjisë në kategorinë e filmave të shkurtër iu dha filmit “Vëllazëria” (Brotherhood) nga regjisorja Meryam Joobeur . Çmimi i jurisë në këtë kategori i shkoi filmit “Imazhi i fundit i babait” me regji të Stefan Gjorgjeviq. Sipas jurisë, ishte një film i mirëmenduar dhe interesant i cili përmes lojës së aktorëve në mënyrë delikate dhe identitetin autentik vizual, në mënyrë dinjitoze paraqet marrëdhënien mes babait dhe djalit si dhe në mënyrë të plotë transmeton emocionin e fortë.