Platforma e aleatëve u mirëprit dje nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Mesditën e djeshme Basha priti në një takim në selinë blu aleatët e vegjël, ku midis të tjerash u diskutua edhe për platformën me 7 pika të propozuar një ditë më herët. Sipas burimeve të gazetës nga takimi, lideri demokrat ka pranuar propozimet e Agron Dukës, Dashamir Shehit, Fatmir Mediut e Nard Ndokës. Përveçse i ka pranuar këto propozime, Lulzim Basha u ka kërkuar aleatëve të tij që edhe të angazhohen në zbatimin e tyre dhe vënien në praktikë. Një nga këto pika është ajo për krijimin e senatit politik. Kreu i PD ju ka bërë kërkesë të vegjëlve që të nisin kërkimin për emra që mund të jenë pjesë e senatit të opozitës dhe për ngarkimin e detyrave për secilin. Një kërkesë tjetër e aleatëve ishte edhe krijimi i këshillit të ish-deputetëve dhe ish-ministrave që do të ndjekin nga afër praktikat ligjore që dalin nga grupet e punës dhe do të analizojnë punën e qeverisë. Për këtë kërkesë Basha ka kërkuar po ashtu nga aleatët që të përpilojnë një listë me emrat potencialë që mund të bëhen pjesë e këtij këshilli.
Distancimi nga skenarët rusë
Një tjetër kërkesë që Lulzim Basha iu ka plotësuar aleatëve është distancimi nga skenarët rusë. Në platformën e tyre, aleatët e vegjël të Partisë Demokratike kërkonin që opozita të dalë dhe të flasë publikisht kundër ndikimit rus e të mbështesë ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike. Por, përmes pranimit të kësaj kërkese Basha iu ka dhënë një goditje të fortë Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Ata të dy janë figurat politike që përfliten dhe akuzohen si të lidhura me Moskën. Madje për Berishën ka patur akuza nga vetë ish-nëndrejtori i FBI, sipas të cilit ish-kryeministri është shndërruar në një kukull të Vladimir Putinit. Ndërsa Ilir Meta në daljet e tij publike asnjëherë nuk ka folur keq për Rusinë, madje është shprehur se shpeshherë kjo temë ekzagjerohet. Por tani Lulzim Basha ka pranuar që të distancohet publikisht nga Rusia dhe të dënojë tentativat e saj për të rritur zgjerimin në Ballkanin Perëndimor. Në këtë mënyrë, goditen Meta dhe Berisha.
Protestat në plan të dytë
Në platformën me 7 pika të propozuar nga aleatët për Bashën bie në sy fakti që aty nuk përmenden në asnjë rresht protestat. Gjatë pushimeve të verës opozita pati paralajmëruar se në fillimin e sezonit të ri do të rikthehej tek protestat e fuqishme kundër qeverisë, por të gjitha këto rezultuan flluska sapuni. Në fakt, siç duket, rikthimi tek protestat nuk është në planet e Lulzim Bashës. Këtë e tregon fare qartë fakti që në platformën e aleatëve protestat nuk përfshihen fare dhe opozita mesa duket nuk ka në plan të ulet e të diskutojë për këtë çështje. Gjatë këtyre ditëve opozitarët janë justifikuar me datën për hapjen e negociatave për mos-fillimin e protestave. Përfaqësues të ndryshëm të PD kanë deklaruar se protesta do të ketë vetëm pas 18 tetorit kur merret vendimi për çeljen e bisedimeve. Po deri në atë datë nuk dihet se çfarë ndodh. Mesa duket Lulzim Basha ka vendosur të tërhiqet nga protestat e dhunshme dhe skenarët destabilizues, duke rrëzuar kështu edhe tentativat e Rusisë për të zgjatur tentakulat sepse gjithmonë është aluduar që pas akteve të trazirave fshihej Moska.
Mimoza Ibra


































