Agron Xoxa: Të kthehet vëmendja te teatrot rajonalë, problem shqetësues braktisja nga aktorët

0
383

Teatrot vendorë përballen me probleme të ndryshme, por dhe mungesa e aktorëve në trupat artistike ndikon në zhvillimin e jetës artistike. Regjisorë, aktorë, personalitete të jetës artistike u mblodhën këto ditë në festivalin “De- Fest Apolonia”, ku diskutimi rreth teatrit nxori në pah jo pak problematika. Drejtori i festivalit Agron Xoxa u shpreh se në kuadrin e projektit programi IPA, që ndihmon në zhvillimin në forma të ndryshme të kulturës, është konceptuar si një festival “De-Fest”, ku përveçse do të shfaqeshin vepra teatrore dinjitoze skenike, do të krijohej edhe mundësia e një debati. Sipas tij, kjo në ndihmë të krijimit të rrjeteve të teatrove vendore. “Kjo është veçoria, sepse janë teatrot vendorë për të cilët ne flasim dhe jo teatrot e ministrisë. Por çfarë do të thotë në ndihmë? Do të thotë, që duke shpallur tematika të ndryshme, problematika të ndryshme që kanë teatrot sot në vendin tonë, duke qenë se dhe ligji aktual i artit skenik e ka shumë pak dhe lë shumë hapësira për lloj- lloj keqinterpretimesh, ne në ndihmë të kësaj diskutojmë prej tre vitesh”, u shpreh drejtori Xoxa. Të gjendur përballë problemeve të ndryshme që nuk janë të pakta në jetën artistike, edhe këtë vit fokusi ishte te teatri në rrethe, ku sipas drejtorit Agron Xoxa në takimin që nisi dje dhe do të zhvillohet dhe gjatë ditës së sotme marrin pjesë emra të fushës. “Diskutohen problematikat e ndryshme, që po kalon teatri vendor në Shqipëri, për të gjetur një produkt në fund fare, si një lloj dhënie opinioni nga shumë specialistë, sepse në këto takime që ne zhvillojmë janë të gjithë të fushës. Janë kritikë arti, janë personalitete të artit skenik në vendin tonë, etj. Dhe gjithmonë diskutimi është në ndihmë të jetës artistike të teatrove vendorë”, vijon drejtori i festivalit.

Mungesa e aktorëve

Një nga problemet, që ndeshin jo pak sot teatrot në qytetet të ndryshme të vendit tonë është dhe largimi i aktorëve. Drejtori i festivalit “De-Fest Apolonia” Agron Xoxa shprehet se aktorët sot i largohen rretheve, duke synuar teatrot në Tiranë. “Problemet sot në fushën e teatrit janë nga më të shumtat. Sot teatrot vendorë kanë problemin e madh të ikjes së aktorëve drejt qendrës, ose jashtë shtetit, kjo për arsye nga më të ndryshmet. Pra ne kemi një braktisje të madhe të aktorëve. Për shembull te teatri “Bylis” më kujtohet kur ishin 8-9 aktorë, një pjesë e tyre kanë lidhur kontrata me teatro në Tiranë, një pjesë tjetër kanë emigruar. Sot që ne flasim, konkretisht kemi vetëm tre aktorë. Ne bëjmë thirrje për të pasur aktorë të tjerë, por këtu hasim edhe problematika, sepse janë çështje më pas që lidhen me financimin”, shprehte Xoxa. Por kjo ikja aktorëve ndikon dhe në normalitetin e jetës artistike të një teatri dhe sipas drejtorit të festivalit Agron Xoxa nuk mund të mendohet, që të funksionojë vetëm me projekte. “Duke u përballur më të tilla sfida jemi në një rrudhje të normalitetit të jetës artistike të teatrove vendorë në vendin tonë. Krijohet më pas një përshkallëzim, që çon drejt krijimit të repertorit nëpërmjet projektit. Ndërkohë që kushdo nga ata që drejton jetën artistike skenike vendore, nuk është vetëm drejt kalendarit artistik me projekte. Por duhen gërshetuar dhe teatrot sipas opinionit tonë duhet të kenë një alternim, pra të ketë trupa permanente, trupa artistike që të jenë në stafin e teatrove vendorë, por të ketë dhe projekte, më pas vjen e pasurohet jeta artistike”, shton më tej Agron Xoxa, drejtor i festivalit. Përballë problemeve, para tre vitesh teatrot vendorë krijuan një rrjet teatror, ku sipas një marrëveshje do të ndihmonin njëri- tjetrin në zhvillimin e jetës artistike.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here