Idrizi ndaloi tifozët në stadium, president e klubeve po ushtrojnë presion të miratohet ligji i Sponsorizimeve

0
374

Ngjarja e Vlorës të dielën, në ndeshjen Flamurtari-Laçi, ku u lanë jashtë tifozë e skuadrës vlonjate për shkak se klubi nuk përmbushte asnjë kriter për të ruajtur qetësinë dhe sigurinë (për mungesë të stjuartëve), ka shkaktuar një “tërmet” në futbollin shqiptar. Për herë të parë, për shkak se nuk plotësohen standardet, ndodh që të lihen jashtë tifozët, ndërsa administratori Sinan Idrizi insiston që të kthehet në stadiume policia, për të ruajtur rendin e qetësinë. E megjithatë kjo nuk ka për të ndodhur, pasi është bërë një ligj për këtë rast, që policia nuk qëndron më brenda impianteve dhe hyn në fushë e në shkallët e stadiumit vetëm kur ka thyerje të rregullave dhe kërcënohet jeta e zyrtarëve të ndeshjes. Edhe pse administratori i Flamurtarit Idrizi më parë ka qenë për stjuartët, ai ka bërë një kthesë të fortë, duke e lidhur qëndrimin e tij me faktin se nuk ka fonde të mjaftueshme dhe as fonde për të hedhur kot, prandaj duhet të përmirësohet situata ligjore që investitorët të mos jenë “fantazma” në këtë ndërmarrje, t’u njihet kontributi dhe natyrisht të fitojnë nga kjo gjë. E thënë ndryshe, ajo që administratori i Flamurtarit kërkon për normalitetin është Ligji i Sponsorizimeve, që kanë të gjitha vendet dhe që dëshirohet të aplikohet edhe në Shqipëri. Është një platformë juridike, por edhe administrative për klubet, që investitorëve t’u njihet shpenzimi dhe nëpërmjet kësaj të përfitojnë nga lehtësirat financiare për bizneset e tyre, që sipas Idrizit dhe jo vetëm deri tani nuk ka ndodhur. Pra presidentët klubeve po rrisin presionin e tyre.

Presidentët presin FSHF-së dhe shtetit për ligjin

Nuk është vetëm administratori i Flamurtarit Sinan Idrizi që kërkon një ligj sponsorizimi, duke ushtruar presion në një formë paksa të veçantë sikurse është trysnia që i bëhet Federatës Shqiptare të Futbollit që të ndikojë “lart”, pra tek qeveria dhe parlamenti për miratimin e një pakete ligjore që njeh investimin e tyre. Që të financohet një skuadër biznesmenët që janë dhe presidentët e klubeve duan lehtësira në taksa. Domnethënë që një përqindje e fitimit nga bizneset e tyre të shkojë për sportin. Kjo taksë duhet bërë me ligj dhe të shtjellohet me nene e pika që të ketë zbatim praktik në terren. Kjo gjë mungon në Shqipëri jo vetëm me klubet e futbollit, por edhe me sportet e tjera kolektive e individuale, pasi Shqipëria është ende prapa në hartimin e një projekti ligjor madhor që i jep zgjidhje kësaj situate. Për krahasim, Kosova dhe vendet e rajonit e kanë bërë këtë ligj (të Sponsorizimeve) dhe e kanë futur sportin e tyre në “shinat” e duhura të suksesit.

Domosdoshmëria e një platforme në futbollin kombëtar

Shqipëria duhet të bëjë një kapërcim epokal në futbollin e saj. Dhe ky ndryshim duhet të lerë pas trukimet e ndeshjeve, metodat amatoreske apo diletante në përgatitjen e të rinjve, dhunën e paparë që ka shoqëruar ndeshjet e këtij tranzicionit dhe padyshim ngritjen e një formule të qartë gare për kategoritë e ndryshme të futbollit nga moshat e deri tek ekipet e superiores. Domosdoshmërinë e një platforme kombëtare për sportin dhe veçmas të futbollit e ka shtruar edhe ish-trajneri i ekipit përfaqësues të Shqipërisë, Shyqyri Rreli, një prej personaliteteve të futbollit kombëtar, profesor dhe autor i shumë librave për futbollin. Edhe për gazetën “SOT”, Rreli është prononcuar disa herë për këtë nevojë, e cila duket të jetë e vetmja zgjidhje afatgjatë për futbollin në Shqipëri. Në kushtet kur terrenet sportive po dëmtohen vazhdimisht si pasojë e ndërtimit mbi to të pallateve, apo dhe kur presidentët e klubeve sillen me skuadrat si gangsterë, është domosdoshmëri që të kenë platformë në infrastrukturë, në organizim dhe menaxhim, por sidomos edhe në aspektin juridik.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here