Rreth një muaj nga dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE, industria e automobilëve paralajmëron se largimi pa marrëveshje do të shoqërohej me pasoja thuajse “sizmike” në tregje dhe për konsumatorët. Me një deklaratë të rrallë, shefat e 23 shoqatave evropiane të prodhimit të automjeteve, janë bashkuar me thirrje për ekzekutivin britanik dhe evropian. Kjo industri punëson gati 14 milionë persona në të gjithë unionin, përfshirë edhe në Britaninë e Madhe. “Dalja nga BE-ja pa marrëveshje do të shkaktonte një thyerje sizmike në raportet tregtare, ndërsa miliarda euro tarifa do të ndikonin në zgjedhjet e konsumatorëve dhe leverdishmërinë e prodhimeve për të dyja palët,”- shkruan të hënën gjigantët europianë si BeEmVe, Peugeot apo japonezët e Nissan. Për shkak të barrierave doganore që pritet të ngrihen pas 31 tetorit, disa prodhues makinash kanë lajmëruar se nëse ulen përfitimet, do të mbyllin aktivitetet në përfaqësitë e tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Vlerësohet se ndalja e punës së fabrikave në Britani do u kushtonte kompanive të makinave rreth 55 mijë euro çdo minutë.Presidenti në largim i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, tha të dielën se marrëveshja me qeverinë britanike për Brexit mund të arrihet në çastet e fundit.Ndërkohë kryeministri anglez, Boris Johnson, ndodhet në New York ku pritet ta trajtojë çështjen me liderët e tjerë evropianë në kuadër të takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB