Josif Papagjoni: Problem organizimi në teatro, shfaqjet nuk qarkullojnë nëpër skena

0
445

Jeta artistike teatrore në vendin tonë përballet me mungesën e vëmendjes nga institucionet, që kanë politikat për zhvillimin e saj. Jo vetëm probleme të infrastrukturës, mungesës së buxheteve, niveli artistik që jo pak herë diskutohet, por dhe qarkullimi i veprave në skena të ndryshme lë për të dëshiruar. Kjo është një situatë, që vazhdon prej kohësh, por për kritikun e teatrit prof. dr. Josif Papagjoni problem është menaxhimi i teatrit në vend. Njohës i mirë i jetës artistike teatrore në vendin tonë, kritiku i teatrit prof. dr. Josif Papagjoni pohon se shteti, por dhe privatët duhet të jenë më pranë teatrit në vend. “Në vendin tonë menaxhimi i produktit teatror është një nga problemet më të mëdha, që ne kemi me teatrin. Këtë duhet ta bëjnë drejtorët e teatrove tanë, sepse duhen gjetur rrugë për ti bërë sa më efiçente shfaqjet e teatrit. Shteti duhet të ndihmojë shumë më tepër teatrot, por edhe biznesi privat duhet të afrohet shumë, sepse kjo nuk bëhet vetëm me shtetin. Tek ne mungon mënyra se si biznesi privat të afrohet pranë teatrit. Ne kemi firma të fuqishme, por sponsorizojnë shumë pak”, pohon në reagimin e tij kritiku i njohur Josif Papagjoni. Sot një shfaqje teatrore në një teatër e ka shumë të vështirë, që të qarkullojë dhe në skena të tjera për publikun. Mungesa e buxheteve e kushtëzon jo pak këtë gjë. Për kritikun Josif Papagjoni është e papranueshme, që një shfaqje sipas tij lind dhe vdes po te e njëjta skenë. “Mënyra e organizimit të teatrit është problem. Teatrot në rrethe apo dhe të tjerë mund të jenë me lloje të ndryshme organizimi. Sigurisht që teatri i sallës është kryesori që zhvillohet edhe në botë, por ka dhe teatro që bëhen jashtë sallës. Problemi është menaxhimi i produktit të teatrit. Tek ne bëhet teatër, por sa zgjat ai? Sa zgjat një shfaqje teatri? Duhet ta lëvizësh shfaqjen edhe në qytete të tjera, por ne sot kemi qytete që shfaqjet tona vdesin po aty, pra në qytetin tyre, nuk qarkullojnë”, vijon më tej kritiku i teatrit Josif Papagjoni.

Teatri sot në jetën artistike

Problemet që janë në nivelin artistik në fushën e teatrit nisin që nga përzgjedhja e materialit, si dhe puna që bëhet për ti sjellë në skena. Kritiku i artit dhe teatrit prof. dr. Josif Papagjoni pohon se duhet punuar më shumë nga regjisorët për shfaqjet në skenat tona. “Regjia mbetet problem në tetarin tonë. Ndodh shpesh, që teatri ka tema apo subjekte në drama, të cilat nuk përkojnë shumë me publikun shqiptar. Ndaj duhet bërë një raport më konkret, më provokues për publikun. Unë po ju them se çfarë duhet bërë, jo se ku është teatri, sepse sot mua nuk ngop fare, me përjashtim të disa pak shfaqjeve tona”, cilëson kritiku Papagjoni. Jo pak herë aktorë, regjisorë apo dramaturgë të ndryshëm janë shprehur për problemet që janë sot në jetën artistike, por sipas kritikut të teatrit Josif Papagjoni në vendin tonë nuk ka një kompani teatri private, që të funksionojë si duhet. “Teatrot tona janë kombëtare ose në varësi të bashkive. Ne nuk kemi teatër privat në Shqipëri. Kompanitë teatrore i bëjnë me paratë e subvencioneve, dhe ato shfaqje më pas vdesin. Tek ne duhet të lëvizin trupat teatrore dhe të nxjerrin të ardhura. Një provë na dhanë vjet nga italianët, që erdhën nga Puglia në Shqipëri. Ata i lëviznin shfaqjet teatrore deri tek shkollat, bënin shfaqje enkas për të nxjerrë të ardhura, dhe shkonin ku ishin njerëzit. Ata i bënin shfaqjet shumë të thjeshta, ku kishte një për sallë teatri dhe po ajo shfaqje në një formë tjetër për një publik me të gjerë, duke shkuar në fshatra, shkolla , universitete, etj”, pohon kritiku Papagjoni në reagimin e tij. Ndërsa për aktivitetin teatror në vend nuk bëhet sa duhet, kritiku Josif Papagjoni shprehet se edhe takimet e diskutimet për teatrin janë me shumë vlerë, pasi aty dalin më në pah problematikat.

 Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here