Çdo ditë që kalon shtohen zërat që PD dhe PS po shkojnë drejt një pakti të ri. SHBA, BE dhe shtete të tjera kanë kërkuar që dialogu të nisë me reformën zgjedhore. Ndërkohë ditën e djeshme ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca iu ka bërë thirrje palëve që të ulen në dialog për të zgjidhur krizën aktuale politike. Soreca e ka vendosur theksin tek reforma zgjedhore ku ka thënë se dialogu duhet nisur patjetër me të. Gjatë një deklarate për mediat, ai u shpreh se ka ardhur koha që palët të ulen në dialog. “Ju e dini që ne ju kemi kërkuar partive politike që të përfshihen në dialog dhe të marrin pjesë në një dialog të tillë. Janë të shumta e të shumta thirrjet për dialog muajt e fundit. Me lejoni të them që dialogu duhet të fillojë nga diçka specifike, e kjo gjë specifike mund të jetë reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme dhe kjo është edhe e nevojshme pasi do të sillte një gjë që ishte shumë e rëndësishme edhe për qytetarët, duke folur për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Kjo do bëhet në një mënyrë të drejtë, por edhe në përputhje me standardet ndërkombëtare”, u shpreh Soreca. Një tjetër zë që i ka konfirmuar zërat për mundësinë e një pakti të dytë, ka qenë edhe deputetja Rudina Hajdari. Ditën e djeshme ajo është takuar me ambasadorin gjerman Peter Zingraf. Lajmin e ka bërë me dije vetë Hajdari nëpërmjet një fotoje që ka postuar në Facebook.Ajo shkruan se takimi i tyre u përqendrua tek reforma zgjedhore dhe hapja e negociatave. Ndërkohë po ashtu ditën e djeshme Hajdari u takua edhe me Sorecën, ku folën po ashtu për reformën zgjedhore. “E lumtur që pata mbështetjen e Ambasadorit Gjerman, z. Peter Zingraf, për reformën zgjedhore pasi i shpjegova të gjitha objektivat e opozitës parlamentare për këtë reformë”, ka shkruar Hajdari. Aleatët e PD konfirmojnë zërat për pakt PS-PD Zëra të tjerë që kanë shtuar dyshimet për mundësinë e një pakti të dytë, kanë qenë edhe kreu i LZHK, Dashamir Shehi dhe kreu i PAA, Agron Duka. Ditën e djeshme Duka në një intervistë për mediat ka pohuar se mund të ketë një marrëveshje mes palëve, ku shton se nuk është që kjo marrëveshje të jetë individuale Rama-Basha. “Nuk jam dakord për një marrëveshje individuale Rama-Basha, sepse duket një marrëveshje pazaresh. Shqipëria nuk ka eksperiencë pozitive nga marrëveshjet individuale, edhe ajo e vitit 2017 nuk zgjidhi gjë. Unë jam për zgjedhje të qëndrueshme dhe ato arrihen kur bëhen pozitë-opozitë për probleme thelbësore që ka politika dhe shoqëria shqiptare”, u shpreh Duka. Ndërkohë që Shehi ka thënë se nuk është për një marrëveshje gjysmë okulte ama nuk hedh poshtë mundësinë e saj. “Sigurisht që nuk do të bëhet një marrëveshje gjysmë okulte. Domethënë që na ngopën me lugë bosh, kjo është frika opozitare. Duhet një marrëveshje transparente, në sy të publikut. Çfarë ka kërkuar opozita, deri ku mbërrin, çfarë ofron mazhoranca, deri ku duron”, tha Shehi. Tusk vjen në Tiranë Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, pritet të vizitojë Shqipërinë ditën e martë. Mësohet se arsyeja e vizitës së tij është se ai do të zhvilloj një takim me kryeministrin Edi Rama. Ndërkohë kujtojmë që vizita e kreut të KE në do të zhvillohet vetëm një muaj para vendimit të Këshillit Evropian, për çeljen ose jo të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Pritet që Tusk po ashtu si Soreca, të japë apele për nisjen e dialogut me synim përparim e mëtejshëm të reformës zgjedhore./Arbjona ÇIBUKU