Google search engine
Home Politike Drejtesi KPA rrëzon për herë të parë ONM dhe konfirmon në detyrë Gentjan...

KPA rrëzon për herë të parë ONM dhe konfirmon në detyrë Gentjan Medjen, KPK shkarkon Gjovalin Përnocën

0
332

 Kolegji i Posaçëm i Apelimit, për të parën herë ka rrëzuar Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Që në momentin që nisi vetingu e deri më tani, çdo gjyqtar a prokuror i konfirmuar në detyrë, por që u ankimua nga ndërkombëtarët ishte shkarkuar. Dje KPA për herë të parë vendosi kundër tyre. Në këtë mënyrë u la në fuqi vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku u la në detyrë gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë Gentian Medja. Kryesuesja Natasha Mulaj, u shpreh se Kolegji ka vendosur me shumicë votash lënien në fuqi të vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë të Medjas. Ajo sqaroi se ishte marrë parasysh kërkesa e Komisionerit Publik që Kolegji të arsyetojë në vendimin e tij edhe orientimin që duhet të ketë Komisioni lidhur me vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale. “KPA shikon të nevojshme që në arsyetimin e plotë të vendimit që lidhet me këtë çështje të japë edhe orientimin e tij në lidhje me kryerjen e procesit të rivlerësimit për sa i përket kriterit të aftësive profesionale. Në përfundim, Kolegji, pasi mori në shqyrtim metodologjinë e propozuar nga Komisioneri Publik shqyrtoi vendimin e KPK, mbështetur në kriteret dhe treguesit që janë përdorur në këtë metodologji, arriti në përfundimin se vendimi i KPK është i drejtë dhe duhet lënë në fuqi. Për këto arsye, trupi gjykues i KPA, me shumicë votash vendosi lënien në fuqi të vendimit të KPK për Medja”, u shpreh kryesuesja Natasha Mulaj. Komisioneri Publik kishte ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr.60 të dhënë më 1 gusht 2018 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit. Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vlerësimin e aftësisë profesionale nuk ishte i plotë, duke u konsideruar i pamjaftueshëm për të konfirmuar në detyrë gjyqtarin Gentian Medja. Mbështetur edhe në rekomandimin e komisionit të përfaqësuesve të ONM-së, për të ankimuar vendimin e KPK, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të kryente rivlerësimin e aftësive profesionale të gjyqtarit Gentian Medja, duke u bazuar në një metodologji, që përmban indikatorë objektivë për evidentimin e nivelit të përmbushjes së kritereve ligjore, të parashikuara në ligjin nr.96/2016. Në përfundim KPA vendosi lënien në fuqi të vendimi të KPK dhënë më 1 gusht të vitit të kaluar për gjyqtarin Medja. KPK shkarkon Gjovalin Përnocën Ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi ditën e djeshme nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, Gjovalin Përnoca. Ai u përball me vetingun për tre kriteret klasike të vlerësimit, atë të ligjshmërisë së pasurisë, kriterin etik dhe profesional. Trupa gjykuese e kryesuar nga Xhensila Pine dhe me anëtarë Suela Zhegu dhe Olsi Komici, e gjeti atë me probleme në kolonën e pasurisë. Gjovalin Përnoca ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka shërbyer fillimisht si gjyqtar në Mirditë dhe Shkodër dhe për 4 vjet si inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në vitin 2003, Përnoca është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, detyrë të cilën e ka ushtruar tashmë prej 15 vitesh. Përnoca ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe është dekretuar nga Presidenti i Republikës për Gjykatën e Lartë, pa mundur që të zgjidhet më pas në Parlament./Elisjeda KIKO

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here