Shtyhet afati për taksën e banesës, ja si duhet të veprohet deri më 30 tetor, dokumentet dhe pikat ku duhet të paraqiten qytetarët

0
425

Shtyhet afati për pagesën e taksës së banesës në Tiranë. 15 shtatori ishte afati final, por Ujësjellës Kanalizimet Tiranë kanë njoftuar dje se afati do të jetë deri më 30 tetor, në mënyrë që banorët e kryeqytetit të kenë kohë të bëjnë deklarimin e banesave. Sipas UKT, llogaritja e taksës së banesës do të bëhet në bazë të vlerës së ndërtesës shumëzuar me shkallën në përqindje të taksës së miratuar me ligj për kategorinë e ndërtesave për banim që është 0.05%. Pra nëse një apartament me sipërfaqe 70 m², shumëzuar me çmimin vlerësues 60.000 lek/m² shumëzuar me 0.05%, taksa vjetore që duhet paguar llogaritet 2 100 lekë, ku për çdo muaj vlera që duhet paguar është 175 lekë. UKT vendos në dispozicion specialistët që do ju ndihmojnë për të plotësuar formularin e vetë-deklarimit, mjafton të paraqiteni në njërën nga pikat UKT. Me vete qytetarët duhet të kenë: kartë identiteti; dokumentin e pronësisë (certifikata e pronësisë me kartelën e pasurisë, ose kontratën e shit-blerjes, dhurimit apo shkëmbimit, ose akt-privatizimin apo vetë-deklarimin e ALUIZNI-t, si dhe rivlerësimin e fundit të pasurisë nëse e dispononi) dhe librezën e ujit ose faturën e muajit të fundit.

Pikat e deklarimit

Pikat ku mund të paraqiten banorët e Tiranës janë: Pika UKT, Njësia Nr. 1- Rr. “Bardhyl” – E hënë- shtunë 08:00-20:00; Pika UKT, Njësia Nr. 2- Rr. “Petro Nini Luarasi”, pranë Tregut Elektrik- E hënë- shtunë 08:00-20:00; Pika UKT, Njesia Nr. 5 – Rr. “Llazi Miho”, Kombinat- E hënë- shtune 08:00-20:00; Pika UKT, Rr. e “Kavajës”, pallatet Delijorgji – E hënë- shtunë 08:00-20:00; Pika UKT, Drejtoria Rajonale, Sauk – E hënë – premte 08:00-17:00 dhe të shtunën 08:00-13:00; Pika UKT -Rruga “Muhamed Deliu”, pranë Freskut – E hënë- premte 08:00-17:00 dhe të shtunën 08:00-13:00; Pika UKT Rruga “Budi”- E hënë- premte 08:00-17:00 dhe të shtunën 08:00-13:00; Pika UKT Rr. “Aleksandër Moisiu”, përballë Min. se Kulturës- E hënë- premte 08:00-17:00 dhe të shtunën 08:00-13:00; Pika UKT, Blv. Zhan D’Ark, përballë Maternitetit të Ri – E hënë- premte 08:00-17:00 dhe të shtunën 08:00-13:00; Pika UKT, Rruga “Teodor Keko”, pranë Astir- E hënë- premte 08:00-17:00 dhe të shtunën 08:00-13:00; Pika UKT, Kodër Kamëz – E hënë- premte 08:00-17:00 dhe të shtunën 08:00-13:00; Njësia Nr. 3 – Rr. “Jusuf Vrioni”, Blloku Vasil Shanto – E hënë- premte 08:00-15:30 dhe të shtunën 08:00-13:00; Njësia Nr. 4- Rruga “Artan Lenja”, Pranë Rep. të Zjarrfikëseve- E hënë- premte 08:00-15:30 dhe të shtunën 08:00-13:00; Zyrat Qëndrore UKT, Rruga e “Kavajës” – E hënë- premte 08:00-16:30.

Llogaritja e taksës

Qeveria publikoi pak ditë më parë një vendim, në të cilin janë specifikuar të gjithë hapat sesi bëhet përcaktimi i taksës për secilën ndërtesë. Janë njësitë e vetëqeverisjes vendore ato të cilat duke përdorur të dhënat e mbledhura për ndërtesën/njësinë pasurore, përcaktojnë bazën e taksës dhe llogarisin shumën e taksës vjetore të ndërtesës për t’u paguar nga çdo taksapagues. Për ndërtesat që shfrytëzohen për banim sipërfaqja e ndërtesës do të shumëzohet me 0.05%. Për ndërtesat që shfrytëzohen për veprimtari ekonomike sipërfaqja do të shumëzohet me 0.2%. Ndërsa për sipërfaqet ndërtimore për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë brenda afatit shumëzimi do të bëhet me 30%. Nëse në informacionin e marrë nga ZVRPP-ja konstatohet se për ndërtesën/njësinë pronësore është kryer një transaksion shitblerjeje gjatë 3 viteve të fundit, atëherë si bazë e taksueshme do të merret vlera më e lartë midis transaksionit dhe vlerës të regjistruar në ZVRPP. Ndërkohë, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë të kryejnë edhe verifikime në terren për objektet e taksueshme për të identifikuar ndërtesat që nuk janë hedhur në sistem apo edhe për të bërë ndryshime.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here