Ish gjyqtarët e dorëhequr nisin luftën me vetingun, dalin kundër përjashtimit për 15 vite, nga Arjana Fullani te Aleksandër Muskaj

0
394

Ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë, të dorëhequr nga detyra, duket se nuk e kanë pritur fort mirë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’i përjashtuar për 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Arjana Fullani, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako refuzuan të drejtën e tyre për t’u emëruar anëtarë në Gjykatën e Apelit, pasi iu përfundoi mandati në Gjykatën e Lartë. Pasi refuzuan këtë të drejtë dhe dhanë dorëheqjen, KPK pushoi procesin e vetingut për ta. Njësoj si për të gjithë të tjerët për të cilët janë ndërprerë verifikimet, edhe për treshen e mësipërme specifikohej në vendimin e KPK se ata nuk kanë më të drejtë të emërohen në organet e drejtësisë për 15 vite. Por për këtë pikë Fullani, Qirjako dhe Muskaj nuk dakordësohen me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Që të tre ata i janë drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të bërë ankimim pjesërisht. Ata kërkojnë nga KPA që të rrëzojë pjesërisht vendimin e KPK që i përjashton nga drejtësia për 15 vite. “Emërtimi: Ankim kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 186, datë 23.07.2019. Vënë në lëvizje nga: Subjekti i rivlerësimit, Arjana Fullani. Objekti: Ankim pjesërisht i vendimit nr. 186, datë 23.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vetëm për pikën 2 të tij që thotë: “Të deklarojë humbjen e së drejtës së këtij subjekti për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë Gjyqësor ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare” Kolegji i Posaçëm i Apelimit në përputhje me kompetencat që i ka dhënë neni 66/1/c, i ligjit 84/2016, për pikën 2 të vendimit nr. 186, datë 23.07.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e cila është dhe pika e vetme që është ankimuar prej meje në këtë kërkesë ankimore, duke e gjykuar çështjen, duhet të vendosë prishjen e saj dhe pushimin e gjykimit. Përbërja e trupit gjykues: Kryesuese: Albana Shtylla; Relatore: Natasha Mulaj; Anëtarë: Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo. Statusi: Përgatitje për gjykim”, thuhet në ankimimin që Arjana Fullani ka bërë në KPA.

Vendimi i KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit iu ka ndaluar Arjana Fullanit, Aleksandër Muskajt dhe Evelina Qirjakos të emërohen anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë për 15 vite. Po ashtu, ata nuk mund të jenë as gjyqtarë a prokurorë në asnjë nivel si edhe nuk mund të emërohen as në postin e Prokurorit të Përgjithshëm. “Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, mbështetur në nenin “G” të Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në nenin 57, të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi: Të deklarojë se procesi i rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, znj. Arjana Fullani, është ndërprerë. Të deklarojë humbjen e së drejtës së këtij subjekti për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”, thuhej në vendimin që KPK zbardhi pak kohë më parë për Arjana Fullanin. I njëjti vendim është marrë edhe për Muskajn e Qirjakon. Tani mbetet të shihet se çfarë do të vendosë Kolegji i Posaçëm i Apelimit për ankimimet e tyre sepse në fakt kërkesa e tyre nuk është hasur më parë.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here