Pjesëmarrja në Komisionin e Reformës Zgjedhore, si dhe vota për amendimet në Ligjin Elektoral, u vendosën si kusht i panegociueshëm nga të 3 grupet parlamentare të opozitës së re.
Por në nisje të sesionit të ri politik dhe kur ka ngelur afro 2 muaj nga përfundimi i mandatit të Komisionit të Posaçëm, duket se përfaqësuesit e opozitës parlamentare nuk janë kompakt në qëndrimin e tyre.
Bashkëkryetarja e Komisionit, Rudina Hajdari, në një intervistë për TVKlan flet për rëndësinë që ka ndryshimi i sistemit aktual elektoral, por ajo thotë se nuk do të vendosin veton në Parlament.
“Ne nuk do të vendosim kushte të pa negociueshme, ne do të vendosim cilat janë prioritetet”, thotë Hajdari.
I prerë dhe i palëkundur në qëndrimin për të kushtëzuar votën për miratimin e reformës, me ndryshimin e sistemit elektoral, është Ralf Gjoni. Gjoni është besimplotë se për arritjen e objektivit të tyre do të ndihmojë dhe presioni ndërkombëtar.
“Votat i kemi ne në Parlament dhe votat janë në favor të ndryshimit të sistemit. Pa ndryshim sistemi të harrojnë se mund të bëjnë ndonjë idil duke u fshehur pas arnimeve teknike të OSBE/ODIHR. Ne jemi në unison të plotë”, tha Gjoni.
Znj. Hajdari tërheq vëmendjen e shumicës, se bashkëpunimi me opozitën është i rëndësishëm për këtë reformë.
Shumica, edhe pse pranoi ta vendosë në objektin e punës së Komisionit diskutimin e ndryshimit të sistemit, duket se nuk e ka në axhendën e saj ndryshimin e sistemit.
Kreu i grupit kuvendor socialist, Taulant Balla, e ka thënë qartë edhe në një intervistë për Televizionin Klan se sistemi aktual është shumë i mirë dhe se adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it është prioritet i tyre./TVKlan/