Ndërsa ka bërë mbrojtjen e tij në seancën gjyqësore, ku prokuroria lexoi pretencën ndaj tij, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nuk ka kursyer as ministrat e kabinetit qeveritar ku vetë bënte pjesë.
Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar se ndërsa bënte mbrojtjen për akuzat e ngritura nga Prokuroria, ish-ministri Tahiri ka ironizuar edhe faturat e kripura të hoteleve, në vizitat zyrtare jashtë shtetit të ministrave, të cilat u bënë publike nga mediat për ministrat e kabinetit, por i pa përmendur me emra ato.
“Prokuroria ka hetuar të gjitha lidhjet e mia shoqërore dhe ka pyetur me letër porosi, se ç’punë kishte këtë nuk e di. Ka çuar letër porosi dhe ka pyetur edhe për çmimet e hoteleve ku kam fjetur, në media u tha se unë flija në hotele me 1 mijë euro nata. Por ju garantoj se me letër porosi është garantuar se çmimi më i shtrenjtë i paguar si ministër, është vetëm 140 euro, jo si ajo tjetra që paguante 900 euro nata.” mësohet të jetë shprehur Tahiri.
Gazetarja Lala tha se kjo deklaratë e ish-ministrit Tahiri, u pasua me ilaritet e të qeshura në sallë.