Kreu i qeverisë dhe njëherësh i Partisë Socialiste ka dhënë dje sinjale se mund të shkohet te zgjedhjet e parakohshme. Pas kthimit nga pushimet, dje PS ka mbledhur grupin parlamentar ku është diskutuar për aktualitetin politik dhe seancën parlamentare të së enjtes. Burime të gazetës, bënë me dije se takimi u drejtua nga kryeministri dhe një fokus i veçantë i është kushtuar reformës në drejtësi dhe situatës brenda PS. Pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit Asambleja e PS ka kërkuar zgjedhje në të gjitha nivelet dhe në lidhje me këtë kryeministri Rama ka kërkuar nga deputetët të zbresin sa më parë në terren për të përshpejtuar sa më parë procesin zgjedhor ose ndryshe, mësohet të jetë shprehur kryesocialisti, të japin dorëheqjen. “Kush nuk e bën, ta konsiderojë si kërkesë për dorëheqje nga grupi parlamentar dhe karriera në këtë grup”, është shprehur kryeministri. Kreu i qeverisë tha se nëse vazhdohet kështu, PS do të pësohet humbje, dhe sipas tij, gjithsecili duhet të bëjë detyrën duke i kthyer partisë atë që ka marrë prej saj. Por në mbledhje Rama ka folur për zgjedhje. Sipas tij, nuk mundet që të shkohet para elektoratit dhe të premtohen të njëjta gjëra. Sipas tij, me situatën aktuale PS rrezikon të humbasë pushtetin. “Partia Socialiste s’mund të qëndrojë në pushtet duke ngrënë dhjamin e vet. S’mund të shkojmë në zgjedhje e të përsërisim të njëjtat gjëra sepse do shkojmë të humbim. As Partia Socialiste e as unë s’e mbajmë dot më këtë maskaradë e këto zullume që bëhen në zyrat e shtetit. S’keni ngritur asnjëherë asnjë shqetësim se si funksionojnë zyrat e shtetit. Ju interesoheni vetëm për drejtorët, kush shkon e vjen. Mbajeni mend, që do humbim pushtetin nëse vazhdojmë kështu. Ju mbajeni sa të doni se unë s’do pres fundin e as ju”, mësohet të jetë shprehur shefi i mazhorancës. Por këto deklarata duket se janë një sinjal se Rama po përgatitet për zgjedhje. PD kërkon që të shkohet në zgjedhje të parakohshme të përgjithshme dhe vendore dhe zërat flasin se kjo mund të ndodhë në pranverë. E sigurt është se dje në grupin e PS është kërkuar që të nisin përgatitjet dhe deri në fund të vitit të jetë mbyllur procesi i ristrukturimit të partisë.
Reforma në drejtësi
Një rëndësi në mbledhje i është kushtuar dhe reformës në qeveri. Shefi i qeverisë është shprehur gjatë mbledhjes së grupit se lufta ndaj zyrtarëve të lartë të cilët janë të përfshirë në afera korruptive do të jetë e ashpër. Ai theksoi se askush nuk mund të ndalë ngritjen e organeve të reja të drejtësisë dhe se qeveria do të vijoj të japë mbështetjen maksimale për ngritjen dhe funksionimin sa më shpejt e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë së Hetimit. Duket se këtu Rama ka dhënë dhe një mesazh dhe për të vetët. Ai e ka bërë të qartë se SPAK nuk do tolerojë askënd dhe kjo vlen dhe për brenda PS. Por një tjetër çështje që u diskutua gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist ishin dhe kthimi i dekreteve nga ana e presidentit Ilir Meta. Kryeministri Rama kërkoi nga ana e deputetëve që të rrëzojnë në seancën plenare të së enjtes të gjitha dekretet e kthyera nga kreu i shtetit, me argumentin se një pjesë e ligjeve janë të rëndësishme dhe duhet të hyjnë menjëherë në fuqi.
Kliti Topalli