Zbardhen detajet nga procesi i reformës zgjedhore. Pas raportit të OSBE-ODHIR është rikthyer debati për realizimin e një reforme cilësore dhe gjithëpërfshirëse. Në Konferencën e Kryetarëve që është mbajtur në datën 2 shtator, është diskutuar mbi ecurinë e reformës zgjedhore.
Gazeta ka siguruar procesverbalin e mbledhjes, ku jepen detaje se si do të vijojë procesi. Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, ka bërë të ditur se synimi është që ndryshimet në kod të mbyllen brenda 28 nëntorit, kur dhe është Dita e Pavarësisë. “Dua të kujtoj këtu që Ditën e Pavarësisë e kemi afatin përfundimtar të këtij komisioni, ndaj do të ishte edhe në nderin e këtij parlamenti që më në fund të respektojë afate, të cilat i vendos vetë. Unë kam qenë kryetar i këtij komisioni nga viti 2014 deri në vitin 2017 dhe të vetmen gjë që kam bërë, për fat, jo sepse kam dashur unë, por edhe për mungesë të konsensusit nga pala tjetër, ka qenë vetëm shtyrja e afateve. Mjaft më! Këtë gjë të mos e bëjmë edhe me ju”, ka thënë ai.
Depolitizimi i komisionit
Më tej është bërë e ditur se LSI mund të marrë goditje të fortë nga reforma. Gazeta një ditë më parë bëri të ditur se kur komisioni drejtohej nga Çuçi e Bylykbashi, hartoi një draft, i cili parashikon ndër të tjera dhe depolitizimin e komisioneve. Rudina Hajdari ka kërkuar sqarime për këtë draft në Konferencën e Kryetarëve. “Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “ Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”” është një propozim i prapambetur. Kush e ka bërë këtë propozim, sepse si kryetare e Komisionit të Posaçëm nuk jam në dijeni për një gjë të tillë? Do të doja pak më tepër detaje rreth këtij ligji. Mund të m’i jepni pak më vonë”, tha ajo. Por ndaj Hajdarit ka pasur një reagim nga Balla, i cili bëri të ditur se propozimi është bërë nga ai dhe do të vijojë të jetë në axhendën e Kuvendit. “Në sesionin e vjeshtës të vitit 2018, teksa afrohej afati 6-mujor, që paraprinte zgjedhjet vjetore të vitit 2019 për të futur në proces edhe deputetët e opozitës së atëhershme, deputetët e mazhorancës, që vazhdon të jetë mazhorancë edhe sot dhe do të vazhdojë të jetë, kanë depozituar këtë dokument, i cili tashmë është dokument pune në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Rregullorja e Kuvendit, sa kohë që deputeti propozues apo grupi i deputetëve propozues nuk është tërhequr nga drafti, e ripasqyron atë në të gjithë kalendarët dhe në të gjitha programet vijuese, por, në funksion të asaj që zoti Alimadhi ngriti si çështje, për kujtesë, sa herë fillon një sesion i ri parlamentar, kryetarët e grupeve parlamentare ose një person i rekomanduar prej tyre, në një kohë jo më gjatë se 10 minuta, kanë të drejtën e fjalës në fillim të sesionit për parashtrimin e të gjitha objektivave të tyre për këtë sesion”, thuhet më tej. Pra drafti aktual do vijojë të jetë në axhendë dhe kjo do të thotë se LSI do marrë goditje. Gazeta ka treguar se nga depolitizimi kjo është partia më e dëmtuar, pasi komisionerët do zëvendësohen me anëtarë të shërbimit civil. Një koment në Konferencën e Kryetarëve ka ardhur dhe nga Adriatik Alimadhi. “Në fakt, unë kam diçka serioze. Duke qenë se jemi pjesë e vazhdimësisë së listës dhe, tashmë, jemi deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, do të sugjeroja që ne t’i kishim të gjitha praktikat dhe mendimet që një grup deputetësh i opozitës ose edhe i maxhorancës, i ka negociuar në vazhdimësi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Përndryshe, i bie që ju punoni me dy mendësi: me mendësitë e tyre ose thëniet e mendimet e tyre, ndërsa ne jemi thjesht këtu duke dhënë mendime ose duke u tallur me ne, si me thënë. Ndaj mirë do të ishte ne të njiheshim me këto materiale, me këto kërkesa, sepse ndoshta mund të kishim edhe mendime të tjera, pra nuk do t’i kishim mendimet e deputetëve të opozitës, që tashmë nuk janë në këtë Parlament”, tha ai.
Elisjeda Kiko