Spartak Ngjela: Ja pse zyrtari i DASH refuzoi Metën, amerikanët nuk i takojnë personat “non grata” dhe nën akuzë, presidenti s’i shpëton dot ndëshkimit

0
281

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit të Republikës, Ilir Meta duken të tensionuara. Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, David Kostelancik zhvilloi një vizitë zyrtare para pak ditësh në Shqipëri, por refuzoi të takonte Metën. Ai pati një takim me të gjithë krerët e tjerë të politikës, përveç kreut të shtetit. Në optikën e avokatit Spartak Ngjela ka dy arsye pse drejtori i lartë i DASH e izoloi Metën. Sipas tij, arsyeja e parë ka të bëjë me procesin hetimor parlamentar që është hapur ndaj presidentit lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit. Gjatë një reagimi për gazetën “SOT”, Ngjela deklaroi se amerikanët nuk mund ta takojnë Ilir Metën në këtë rast sepse nuk duan që të bien akuzat e ngritura ndaj tij. Si arsye të dytë avokati renditi shpalljen “non grata”. Ai ngriti dyshime se Ilir Meta mund të jetë futur në listën e zezë të SHBA dhe në këtë rast ata nuk mund ta takojnë. “Amerikanët kanë një rregull: personat nën akuzë dhe personat “non grata” nuk i takojnë. Meta është nën akuzë, këtë e dimë. Është ngritur një komision hetimi parlamentar. Është edhe “non grata” apo nuk është, këtë mbetet për ta parë. Por këto dy arsye të bëjnë që të mos e takosh sepse nëse e takon kur ai është nën akuzë, të bën të mendosh se ti influencon kundër akuzës, e mbështet. Rasti tjetër është në rast se është “non grata”, atë nuk e di unë. Por këto dy kategori njerëzish ndërkombëtarët nuk i takojnë. Por ky është president dhe është shumë e rëndë që nuk e takoi. Tani të shikojmë sesi do të vejë procesi këtu, sesi do të shkojnë hetimet në Komisionin Parlamentar”, deklaroi Spartak Ngjela.

Meta nuk i shpëton dot ndëshkimit

Avokati u shpreh dje i bindur se presidenti këtë herë nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit. Sipas tij, ai kreu një shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa shtoi se fatin e tij do ta vulosin ekspertët e Komisionit të Venecias në vizitën e tyre zyrtare të hënën. “Në orën 10 të mëngjesit presidenti do të paraqitet në Komisionin Hetimor Parlamentar. Po në të njëjtën ditë vijnë ekspertët e Venecias. Këto dy raste kanë lidhje me njëri-tjetrin sepse kanë të bëjnë me akuzën kundër Metës. Çfarë do të sjellë Venecia? Përgjigja kaq e shpejtë e Venecias kuptohet që e ka marrë shumë seriozisht këtë çështje. Venecia do të takojë edhe Metën pasi të ketë dalë nga komisioni, kështu që këtu do të shikojmë tamam se çfarë do të ndodhë dhe do të kuptojmë edhe arsyen e vërtetë se pse drejtori i rëndësishëm i DASH nuk e takoi. Mos-takimi i tij tregon se këto dy aspekte janë negativë për Metën. Po Meta çfarë do të bëjë? Mbrojtje juridike ai nuk ka sepse ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe nuk i shpëton dot ndëshkimit. Nuk kishte asnjë kompetencë për të rrëzuar dekretin e tij”, tha Ngjela. Avokati e interpretoi shfuqizimin e datës 30 qershor si një ndihmë që ju dha presidenti partive opozitare për të krijuar destabilizim në shoqërinë shqiptare. “Ajo që e rëndon më shumë është fakti që me atë dekret fantazmë që është akt administrativ i pavlefshëm, doli opozita e vjetër me revolta në Shqipëri. Sepse ti thua që e ke bërë për të ulur reaksionin shoqëror ose pështjellimin shoqëror, por fakti tregoi se dalja e atij dekreti e krijoi nga e para pështjellimin se ata e morën si slogan për të bërë revoltë shoqërore. Megjithatë duhet të presim ditën e hënë për të parë sesi do të shkojë kjo çështje”, deklaroi Spartak Ngjela.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here