Vijon të vishet me mister çështja e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmakut. Edhe pse janë disa javë nga denoncimi i Partisë Demokratike, prokuroria ende nuk ka administruar shenjat e gishtave. Për këtë arsye selia blu është vënë sërish në lëvizje, ku përmes një letre drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme dhe për dijeni ambasadave të SHBA dhe BE, ngre dyshime mbi procedurat që po ndiqen sa i takon zbatimit të ligjit të dekriminalizimit për kryebashkiakun Kajmaku. Partia Demokratike ka kërkuar që të njihet me çdo veprim të prokurorisë që nga data e dorëzimit prej saj të kërkesës së verifikimit në 20 gusht deri në 5 shtator. Partia Demokratike i ka drejtuar tri pyetje ditën e djeshme prokurorisë. PD pretendon se prokuroria ka gënjyer për shenjat e gishtave dhe i kërkojnë prokurorisë dokumentet e plota për rastin e verifikimit të figurës së kryebashkiakut. “A i keni administruar ju provat që përmend Shërbimi Postar në deklaratën e tij zyrtare dhe që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin në datën 29 Gusht? Nëse jo, pse? Nëse po, pse nuk është aplikuar sanksioni i parashikuar në nenin 8 të ligjit?”, janë tri pyetjet që i ka drejtuar PD prokurorisë. Ndër të tjera PD ka kërkuar dokumentacionin e plotë për çështjen e verifikimit të Agim Kajmakut, i arrestuar dhe i kërkuar në Greqi me emrin Jorgo Toto, për një krim që dënohet me 10 vjet burg. “Duke iu referuar përgjigjes së Postës, Partia Demokratike thotë se nuk ka asnjë dyshim që shtetasi Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin zyrtar për dorëzimin e gjurmëve daktiloskopike më datë 29 Gusht dhe sipas nenit 8 të ligjit të dekriminalizimit, duhet të kishte përmbushur detyrimin e tij deri në datën 3 Shtator 2019. Çuditërisht, nga ana juaj më datë 4 Shtator thuhet se subjekti nuk e ka marrë ende shkresën. Ky në fakt duket më shumë si justifikim i paligjshëm nga ana e organit të prokurorisë për të mos zbatuar sanksionin që parashikon ligji në rast se subjekti nuk dorëzon gjurmët daktiloskopike”, thuhet në letrën e PD.
PD akuza ndaj Arta Markut
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi ka hedhur akuza ndaj prokurores Arta Marku duke thënë se çdo shkelje e ligjit nga ana e organit të prokurorisë mbi këtë çështje, do të evidentonte edhe më shumë faktin që sot Prokuroria e Përgjithshme, nën drejtimin e shtetases Arta Marku, është shndërruar në një celulë të mbrojtjes së krimit. “Ju, sipas urdhrit të Edi Ramës, mund ta zvarrisni, pengoni apo tentoni ta manipuloni të vërtetën, por ju kurrsesi nuk do mund të pengoni që ajo të dalëqartë dhe në mënyrë të pakontestueshme përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë “, ka shkruar Bardhi, në letrën e PD dërguar prokurorisë. Në letrën e PD theksohet përgënjeshtrimi i ardhur nga Posta Shqiptare, e cila konfirmoi se dokumenti i prokurorisë është dorëzuar në Bashkinë Vorë, fakt ky që, siç deklaroi Posta, vërtetohet lehtësisht në dy mënyra, në sistemin e dërgesave nga bar kodi përkatës dhe nga prova e dorëzimit, e firmosur nga sekretaria e Bashkisë Vorë.
Kajmaku shet aksionet e kompanisë
Partia Demokratike ka akuzuar kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmakun se ka përfituar tenderë nga qeveria. Por ditët e fundit kanë ndodhur disa ndryshime pasi 49% e aksioneve që zotëronte Agim Kajmaku në firmën “Kajmaku”, i ka shitur tek znj.Merita Kajmaku. Vlera e pagesës është 10 milionë e 43 lekë. Kjo vlerë është e barabartë me fitimin vjetor të kompanisë vitin e fundit.
Arbjona ÇIBUKU