Projekti shqiptaro-zvicerian, gërmime arkeologjike në Orikum

0
373

Projekti arkeologjik shqiptaro-zviceran i Institutit të Arkeologjisë së Tiranës dhe Universitetit të Gjenevës së Zvicrës, ka nisur edhe këtë vit gërmimet arkeologjike në parkun kombëtar të Orikumit. Për mbarëvajtjen e këtij procesi po bashkëpunon edhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, e cila shprehet se edhe gjatë muajit shtator vizitorët kanë mundësi të ndjekin zbulimet në këtë park arkeologjik. “Gërmimet e këtij viti kanë si qëllim zbulimin e pjesës veriore të fontanës monumentale, gërmimin dhe gjurmimin e fortifikimit antik, si dhe zbulimin tërësor të kishës mesjetare. Përgjatë gjithë muajit shtator vizitorët në parkun arkeologjik Orikum, kanë mundësinë të ndjekin nga afër zbulimet e reja arkeologjike”, shkruan DRKK, që ka publikuar dhe disa foto gjatë gërmimeve arkeologjike në park. Parku arkeologjik kombëtar i Orikumit përmendet për herë të parë nga gjeografi dhe historiani grek Skylaksi, shek. VI-V p.krishtit në veprën “Lundrimi”, qyteti i Orikut, port detar në Jon dhe Adriatik. Sipas legjendës, fisi pellazg i Eubeasve, pas shkatërrimit të Trojës, kthehen nga kanë ardhur në tokat ë të parëve dhe themelojnë qytetin e Orikut. Teatri antik i Orikut ndërtuar në shek III-II p.krishtit është identik me teatrin e Trojës. Kapaciteti i teatrit shkon nga 400-600 spektatorë. Në jug perëndim të teatrit, ndodhet altari. Në faqen lindore të Akropolit zbresin dy palë shkallë të gdhendura në trupin shkëmbor të kodrës, me gjerësi 2.5 metra, që kufizojnë ambiente godinash publike, të gdhendura thellë në gurë me dimensione të ndryshme. Pusi antik nr. 1 është i gdhendur në trupin shkëmbor të Akropolit. Thellësia e tij shkon 20-23 metra. Përdorej për ujë të pijshëm në raste kur ujësjellësi binte në dorë të armikut. Pusi antik nr. 2 është më i ruajtur. Gërmimet e viteve të fundit kanë nxjerrë në sipërfaqe element të fortifikimit të antikitetit të vonë, siç është rasti i një kulle të kësaj periudhe në tarracën lindore. Një tjetër monument i vizitueshëm është kisha mesjetare e zbuluar nga gërmimet e viteve 2016-2017, në pjesën e akropolit. Të gjithë elementët historik, arkitektonik dhe peizazhi unik ku është vendosur siti, midis lagunës, detit dhe gadishullit të Karaburunit si dhe elementët arkeologjik, që dalin në vijimësi nga gërmimet e bëjnë këtë park arkeologjik një nga më interesantët për t’u vizituar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here