1 javë afat për deklarimin e banesave, ja si do përcaktohet taksa e pronës për objektet në ndërtim dhe si do veprohet kur ka kontratë shitje

0
474

Qytetarët e Tiranës kanë edhe një javë afat për deklarimin e pronës. Më 15 shtator mbyllet procesi i vetëdeklarimit të banesave dhe më pas do të nisë verifikimi në terren. Por taksës nuk do t’i shpëtojnë as objektet në ndërtim. Sipas të dhënave të siguruara nga gazeta, për ndërtesat e pajisura me leje ndërtimi dhe që nuk kanë përfunduar ende, taksa e pronës do të përcaktohet mbi vlerën e parashikuar të ndërtimit, në kohën kur ka nisur ndërtimi. “Për ndërtesat e pajisura me leje ndërtimi, por që nuk kanë arritur të përfundojnë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi, përcaktimi i bazës së taksueshme bazohet mbi koston e parashikuar të ndërtimit, sipas lejes së ndërtimit të miratuar nga njësia përkatëse e vetëqeverisjes vendore apo KKT-ja. Në këtë rast, vlera e bazës së taksës së ndërtesës llogaritet për të gjithë ndërtesën, kur është një njësi e vetme dhe e destinuar për një qëllim të vetëm përdorimi, pavarësisht fazës në të cilën gjendet ndërtesa e papërfunduar. Baza e taksës së ndërtesës llogaritet në masën 30 (tridhjetë) për qind të shkallës së taksës të përcaktuar me ligj, shumëzuar me koston e ndërtimit të parashikuar në lejen e miratuar të ndërtimit”, thuhet në VKM.

Objektet me shumë pronësi

Por ndryshe objektet në ndërtim me një pronësi, taksa për objektet me shumë pronësi do të përcaktohet me një formulë tjetër. Sipastë dhënave të siguruara nga gazeta, për ndërtesat e pajisura me leje ndërtimi me shumë pronësi dhe që nuk kanë përfunduar ende, taksa e pronës do të përcaktohet mbi vlerën e parashikuar të ndërtimit, në kohën kur ka nisur ndërtimi për të gjitha njësitë përbërëse të ndërtesës. “Në rast kur ndërtesa përbëhet nga më shumë se një njësi pronësore, të parashikuara për t’u përdorur për qëllime të ndryshme apo për t’u tjetërsuar në pronësi të më shumë se një pronari/përdoruesi, si bazë e taksës do të shërbejë kostoja e plotë e ndërtimit të të gjitha njësive përbërëse të ndërtesës, pavarësisht fazës në të cilën gjendet e gjithë ndërtesa e papërfunduar. Në qoftë se njësitë e ndërtesës, bazuar në lejen e miratuar të ndërtimit, janë parashikuar për qëllime të ndryshme përdorimi (për shembull, disa për banim dhe disa për veprimtari ekonomike/joekonomike), vlera e pasurisë së paluajtshme për përcaktimin e bazës së taksës së ndërtesës llogaritet në masën 30 (tridhjetë) për qind të shkallës së taksës së përcaktuar me ligj, sipas llojit të përdorimit, shumëzuar me koston e ndërtimit për njësi të ndërtesës”, thuhet në VKM.

Ja si do veprohet kur ka kontratë shitje

Ndërkohë, sipas të dhënave të siguruara nga gazeta, taksa e pronës për objektet në ndërtim dhe që kanë kontratë shitje do të përcaktohet në bazë të çmimit të kontratës së shitjes.“Në rast se zhvilluesit kanë lidhur kontratë shitjeje për tjetërsimin e pronësisë së ndërtesës së papërfunduar apo të njësive të veçanta të saj, si bazë e vlerësimit të pasurisë së paluajtshme, për efekt të llogaritjes së taksës së ndërtesës, do të shërbejnë kontratat e shitjes. Në qoftë se nga krahasimi rezulton se vlera e kontratave të shitjes është e ndryshme nga vlera e llogaritur me çmimin vlerësues, atëherë si bazë e taksës përcaktohet vlera më e lartë. Kur nga verifikimi në terren rezulton se ndërtesa apo njësi të veçanta të saj janë vënë në përdorim/shfrytëzim, pavarësisht se ndërtesa në tërësi nuk ka përfunduar, taksa llogaritet e plotë për pjesën në përdorim/shfrytëzim”, thuhet në VKM.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here