Avokat Spartak Ngjela u shpreh ditën e djeshme se reforma në drejtësi do të godasë shumë emra të politikanëve në vend. Gjatë një interviste televizive, ai deklaroi se mes politikanëve që do godasë drejtësia e re janë 4 ministra të kabinetit “Rama”, duke shtuar se me ngritjen e SPAK deputetët e opozitës nuk do të jenë më në skemën politike. “Duhet pritur a do jetë Rama, se këta të opozitës nuk do jenë më e sigurt. 4 ministra të Ramës nuk i ke më. Emrat nuk i them, por mi ka thënë Rama vetë. Gjithçka në Shqipëri do fillojë pas Reformës në Drejtësi”, u shpreh Ngjela. Më tej, avokati foli edhe për integrimin e vendit në BE, duke deklaruar se SHBA është në mbështetje të Shqipërisë. Ngjela u shpreh se fajtor për zvarritjen e integrimit janë opozita joparlamentare dhe mazhoranca. “E kanë të domosdoshme futjen e Shqipërisë në BE, ka një garë se kush do hyjë më parë në BE, Shqipëria apo Serbia? Dukej sikur Serbia ishte para se i ka hap negociatat, me shumë sabotime kundra nesh por i ka hapur. Sabotimet i ka hap me klasat politike. Ka punuar kundër zbatimit të kushteve dhe ai kryesori ka qenë Reforma në drejtësi, e cila ka 3 vjet që zvarritet. Kush e ka zvarritur? Opozita që është jashtë parlamentit, mazhoranca edhe në rast se ka pasur raste lëkundjeje nuk e ka prishur marrëveshjen me Uashingtonin, kurse ata e kanë sabotuar hapur, jo është e Ramës thanë lloj lloj gjërash. Tani nuk ka më zvarritje, jemi në segmentin e fundit kohor për reformën në drejtësi, dhe në këtë pikë ka ardhur Palmeri”, u shpreh Ngjela. Avokati komentoi edhe aksionin opozitar, duke deklaruar se protestat e PD-LSI nuk kanë qenë efektive dhe s’kanë pasur mbështetje. “Protestë do të thotë masë kompakte njerëzish. Me 2000 nuk përfaqëson asgjë. Këta s’kanë numër, bëjnë zhurmë Ata nuk i do populli, nëse do i donte do ishin 400 mijë veta në shesh, po nuk ishin. Ku i kanë këta 80 përqind të popullit me vete? Pamjet i kanë treguar të gjitha. Nuk ka njerëz”, u shpreh avokati Spartak Ngjela.