Premiera e filmit të animuar “Aventurat e Lelos- Labirinthi” u shfaq në kinemanë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Me financimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë shtëpia filmike “Cinemania” erdhi këtë herë në botën e animacionit, me një film të realizuar nga të rinjtë. Producent Jaklid Gaçe, skenari i filmit është nga Marius Gaçe, regjia nga Endri Beqo dhe Fatjon Alla dhe kompozitor britaniku Will Bedford. I pranishëm në premierën e filmit të animuar “Aventurat e Lelos-Labirinthi” kineasti Skënder Jaçe shprehet se filmi i animuar është një zhanër i dashur për të gjithë, por njëkohësisht dhe i vështirë në realizim. “Filmi i ri “Aventurat e Lelos-Labirinthi” vjen si një deodorant i ri për kinemanë shqiptare. I konceptuar në një format 3D – CG, i ngjashëm me filmin e njohur Shrek, ose filmi Iron Man personazhi i Hulk, i cili ishte CG dhe është animuar 3D, etj. Pra është një format i ri për kinemanë shqiptare në botën e madhe të animacionit”, pohon kienasti Skënder Jaçe. Kohë zgjatja e filmit është 7 minuta dhe ai mori një vit kohë për realizimin e tij. Muzika e filmit e kompozuar nga britaniku Will Bedford, bashkë me efektet e ndryshme kompjuterike mbajnë bukur ritmin e filmit në kuadër. Duke folur më tej për filmin, kineasti Skënder Jaçe mes të tjerave shprehet se ish kryetari i QKK Ilir Butka përkrahu të rinjtë në filmin e tyre. “Urime të gjithë stafit, që punuan në realizimin e këtij projekti madhor dhe një falenderim të veçantë, artistit të njohur regjisorit Ilir Butka, i cili e njeh mirë filmin e animuar, dhe me idetë e vizionin e qartë për veprën, nxiti dhe përkrahu këta të rinj, duke na sjellë një format ndryshe në ekranin e madh të kinemasë”, vijon kineasti Skënder Jaçe. Misteret gjithmonë sjellin rrezik! Lakmia për të gjetur thesarin e çojnë personazhin e filmit, Lelon, në një labirinth ku vështirë të dilet prej aty. Lakmia për thesare të mëdha është gijotinë e vetvetes! Çdo të ndodhë me Lelon? Këtë e zbulojmë në filmin e animuar “Aventurat e Lelos- Labirinthi”. Në kinemanë e AQSHF janë shfaqur herë pas here premiera filmash, ku ky sezon sërish solli titujt të rinj në ekran. Jo vetëm për shfaqje filmash, por këto premiera sjellin dhe takime me artistë të njohur të kinemasë shqiptare.