Sot testohen aplikantët për Patrullë të Përgjithshme, procesi do të zhvillohet në 2 faza, ja ku mund të tërhiqen testet

0
283

Kandidatët për Patrullë të Përgjithshme do të testohen ditën e sotme. Lajmin e bëri të ditur dje drejtori i Kolegjit Zgjedhor, Ylli Vasili gjatë një deklarate mediatike. Sipas tij, janë 2.120 aplikantë që do t’i nënshtrohen testimit, ndërsa sqaroi se ky proces do të zhvillohet në dy faza. “Më datë 4 shtator, në Pallatin e Kongreseve, 2 120 aplikantë do të marrin pjesë në testimin me shkrim. Testimi do të zhvillohet në dy faza, brenda ditës. Në fazën e parë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Tiranë, Berat, Durrës e Fier, të cilët duhet të jenë prezent në Pallatin e Kongreseve, në orën 07:30 të mëngjesit. Në fazën e dytë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër, të cilët duhet të jenë prezent në orën 12:00, në Pallatin e Kongreseve”, tha Vasili. Ai sqaroi se aparatet celularë nuk lejohen me vete gjatë testimit, ndërsa theksoi se i gjithë procesi do të monitorohet nga kamerat për të mos lejuar kopje. “Aplikantët, në momentin që futen në sallën e konkurrimit nuk duhet të kenë me vete celular dhe u ndalohet komunikimi me njëri-tjetrin gjatë zhvillimit të testimit. Për të eliminuar çdo abuzim sado të vogël, të dyja fazat e testimit do monitorohen me kamera, si dhe nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Pyetjet e testimit me shkrim prodhohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore në Ministrinë e Arsimit dhe tërhiqen nga komisioni në orën 07:00 të mëngjesit dhe janë pyetje me karakter të formimit të përgjithshëm. Testet janë në kuti të mbyllura e me vulë dhe hapen në prezencë të aplikantëve. Çelësi i përgjigjeve të testimit tërhiqet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, në momentin kur përfundon testimi dhe mblidhen testet e pjesëmarrësve”, deklaroi Ylli Vasili. Çdo konkurrent, në fund të çdo faze konkurrimi, në rast se nuk është dakord me rezultatin, ka të drejtën e ankimimit brenda dy ditëve. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në Akademinë e Sigurisë në zyrën e Burimeve Njerëzore dhe më pas kjo ankesë i përcillet Komisionit të Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here