Dënimi në Itali i Valdrin Pjetrit, reagon Prokuroria e Përgjithshme

0
267

Duke marrë shkas nga publikimet e fundit në media lidhur me procedurën e verifikimit të subjektit Valdrin Pjetri, ish – kandidat për Kryetar të Bashkisë Shkodër, ju informojmë në lidhje me veprimet e kryera prej Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe Verifikimit të Integritetit të Personave që Zgjidhen Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike, deri ditën e sotme:

Në zbatim të ligjit Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, më datë 05.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar kërkesën e administruar prej subjektit “Partia Demokratike” për verifikim të detajuar të subjektit Valdrin Pjetri dhe, në të njëjtën datë ka filluar procedura e verifikimit.

Më datë 06.08.2019, është administruar formulari i vetëdeklarimit të subjektit Valdrin Pjetri prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Më datë 06.08.2019, i është dërguar shkresa për verifikim Zyrës së Gjendjes Gjyqësore, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Drejtorisë së Policisë së Shtetit, organeve të prokurorisë (prokurorive pranë gjykatës së shkallës së parë, prokurorive pranë gjykatës së apelit, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda).

Më datë 06.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar pranë Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, si dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për verifikim të mëtejshëm nga autoritetet e drejtësisë italiane, duke iu kërkuar këtyre të fundit vënia në dispozicion e çdo lloji vendimi penal të dhënë nga gjykata, vendim për masa sigurimi personale apo vendime dëbimi, në emër të shtetasit Valdrin Pjetri.

Më datë 09.08.2019, shtetasit Valdrin Pjetri i është kërkuar të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore.

Më datë 14.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme ka përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ndihmë juridike për subjektin Valdrin Pjetri, duke bashkëngjitur të dhënat kriminale të dënimit penal në shtetin italian.

Më datë 14.08.2019, është dërguar shkresa pranë Departamentit të Administratës Publike për tërheqjen e Formularit të Vetëdeklarimit të subjektit Valdrin Pjetri, të depozituar më parë prej tij, si subjekt i ligjit Nr. 138/2015.

Më datë 16.08.2019, Departamenti i Administratës Publike ka paraqitur Formularin e Vetëdeklarimit të subjektit Valdrin Pjetri, të depozituar pranë saj me datën 02.05.2016.

Më datë 19.08.2019, Instituti i Policisë Shkencore ka dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme gjurmët daktiloskopike të  depozituara nga subjekti Valdrin Pjetri.

Më datë 19.08.2019, është dërguar shkresa pranë Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, duke bashkëngjitur gjurmët daktiloskopike të depozituara nga subjekti i sipërcituar, pranë Institutit të Policisë Shkencore.

Ndërkohë, janë administruar nga Prokuroria e Përgjithshme:

  • Më datë 07.08.2019, përgjigja e Zyrës së Gjendjes Gjyqësore pranë Ministrisë së Drejtësisë për subjektin Valdrin Pjetri.
  • Më datë 13.08.2019 dhe datë 15.08.2019, përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me përcjelljen pranë autoriteteve italiane të drejtësisë të Kërkesës për Ndihmë Juridike për subjektin Valdrin Pjetri.
  • Më datë 14.08.2019, përgjigja e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në lidhje me gjeneralitetet e subjektit Valdrin Pjetri,
  • Më datë 16.08.2019, përgjigja e Drejtorisë së Policisë së Shtetit për subjektin Valdrin Pjetri nëse figuron i ndaluar/arrestuar për veprimtari kriminale.
  • Deri tani janë administruar përgjigjet e 23 prokurorive të rretheve gjyqësore/apele për subjektin Valdrin Pjetri në lidhje me kërkesën tonë për kallëzime/referime/procedime penale, ka qenë ose jo nën hetim, është caktuar ose jo ndonjë masë sigurimi, është dënuar ose jo, me vendim jopërfundimtar apo të formës së prerë për kryerjen e ndonjë vepre penale.

Jemi në pritje të përgjigjes nga autoritetet italiane të drejtësisë, si dhe të përgjigjes nga autoritetet policore italiane, të cilat janë vendimtare për marrjen e një vendimi.

Duke ju falënderuar për vëmendjen,

ZYRA E SHYPIT

Pranë

PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here