Prokuroria e Tiranës ka pushuar hetimet për Emiljano Shullazin për akuzën e pastrimit të parave. Pas më shumë se tre viteve hetim, fillimisht nga Krimet e Rënda dhe më pas nga Prokuroria e kryeqytetit, nuk janë gjetur prova të cilat implikojnë Shullazin në pastrimin e parave.Hetimet janë pushuar edhe për biznesmenin Ylvi Beqja për të njëjtën akuzë, pasi edhe për të nuk ka pasur fakte për të çuar dosjen në gjykatë. Beqja, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë tregoi se Shullazi i kishte marrë me dhunë 30% të ish-hotel Vollgës si dhe 550 mijë euro me anë të gjobëvënies. Për këto akuza Emiljano Shullazi dhe 4 bashkëpunëtorët e tij Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Zela dhe Endri Qyqja u dënuan me 55 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda.Prokuroria e Tiranës për çështjen e pronësisë së ish-hotel Vollgës ka pushuar hetimet edhe për tre gjyqtarë të Durrësit, të cilët kishin dhënë një vendim për pronësinë e objektit, në të njëjtën kohë kur në Gjykatën e Lartë po zhvillohej një proces tjetër për të njëjtën çështje. Edhe në këtë rast nuk janë gjetur prova për të vërtetuar akuzën e shpërdorimit të detyrës për gjyqtarët Dhurata Bilo, Vladimir Skënderi dhe Ndue Gjura.Vendimi për pushimin e hetimeve është marrë nga prokurori Erjon Imeraj, ndërsa është miratuar edhe nga gjyqtari i hetimeve paraprake.Shullazi aktualisht është në një përballje me drejtësinë në Gjykatën e Apelit pranë Krimeve të Rënda pasi më herët ai është dënuar nga Shkalla e Parë me 14 vite burg si pjesë e grupit kriminal drejtuar prej tij.Ndërsa ai ka mohuar akuzat për gjobvënie, kërcënimin e rektorëve Dhori Kule, Mynyr Koni si dhe kërcënimin me jetë të biznesmenit Ylvi Beqaj, që prej kohësh ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Ish-hotel“Vollga”
Kërcënimi i biznesmenit Ylvi Beqja nga ana e Shullazit dhe grupit të tij, ka qenë përcaktues sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda për dërgimin e grupit në gjyq. Prokuroria e pranon se ka qenë vetë biznesmeni Ylvi Beqja, i cili mbronte interesat e “Saudi Brothers” që ka kërkuar ndihmë te Emiljano Shullazi për regjistrimin e ishhotel “Vollgës” në Durrës. Sipas prokurorisë, Ylvi Beqja kishte disa procese gjyqësore për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës”, pasi godina pretendohej edhe nga një palë tjetër, shtetasi Zamir Hasa.Në vitin 2014, Beqja i ka kërkuar Emiljano Shullazit që ta ndihmojë që të regjistrojë ish-hotel “Vollgën” në Hipotekën e Durrësit. Në këmbim të kësaj ndihme që i pandehuri do t’i jepte, do të përftonte 20 për qind të pjesës së pasurisë. Ky vullnet i shprehur në bisedë është bërë dhe me akt noterial, ku nënshkrues janë shtetasi Ylvi Beqja dhe i pandehuri Emiljano Shullazi. Pas lidhjes së kësaj marrëdhënieje kontraktuale, Shullazi, sipas prokurorisë, ka ndërruar mendje dhe me kanosje duke përdorur dhunën verbale dhe fizike, ka kërkuar që vlera e pasurisë që do t’i kalonte nuk do të ishte më në vlerën e caktuar prej 20 për qind, por do të ishte në vlerën prej 30 për qind.Kundrejt përdorimit të armës dhe me kërcënim, shtetasi Ylvi Beqja është detyruar të nënshkruajë para noteres Aida Spahiu kontratën e dhurimit në vlerën prej 30 për qind. Prokuroria thotë se Emiljano Shullazi ka kërkuar nga shtetasi Ylvi Beqja shuma të mëdha parash. Në kërkimin e bërë për këto shuma parash ka marrë pjesë dhe shtetasi Gilmando Dani, si dhe persona të tjerë, të cilët kanë rolin e tyre në kryerjen e veprimeve.Në këtë mënyrë, Gilmando Dani ka pasur kontakte telefonike me shtetasin Ylvi Beqja, ku i ka kërkuar dhënien e sasisë monetare. Sipas deklarimeve të dhëna nga Ylvi Beqja, ky shtetas pretendon t’i ketë dhënë sasi të mëdha monetare shtetasit Emiljano Shullazi dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Elvis MYRTA