Google search engine
Home Politike Thellohet skandali me kryebashkiakun e Vorës, 1 ministre ishte në dijeni të...

Thellohet skandali me kryebashkiakun e Vorës, 1 ministre ishte në dijeni të dënimit, por e mbrojti Kajmakun, PD shton sulmet

0
359

Skandali për kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku po thellohet akoma më shumë. Prej kohësh Partia Demokratike ka nxjerrë prova se ai ka qenë i dënuar në Greqi, në vitin 2003 për përdorimin e parave false dhe shpërndarjen e tyre. Sipas selisë blu, në atë kohë ai mbante një pasaportë me emrin Jorgo Toto. Vetëm pasi të vijnë konfirmimet nga Greqia prokuroria do të vendosë për fatin e hetimit. Në formularin e dekriminalizimit, Agim Kajmaku ka pranuar se e ka mbajtur me parë emrin e Jorgo Totos. Por pyetjeve nëse ka qenë i dënuar, arrestuar apo është vendosur ndonjë masë sigurie për të në një vend të huaj ai i është përgjigjur negativisht. Ai ka mohuar të ketë qenë i arrestuar apo dënuar edhe pas akuzave të opozitës. Por promovimi i Kajmakut për të marrë drejtimin erdhi si propozim i një nga ministreve të kabinetit qeveritar, e cila ishte në dijeni të dënimit, por sërisht i doli në mbrojtje duke i besuar post politik. Por rasti i kryebashkiakut të Vorës është i njëjtë me atë të Valdrin Pjetrit në Shkodër, ku pas fakteve të publikuara nga opozita për dënimin e tij, Pjetri dha dorëheqjen. Pas Shkodrës, pritet që edhe Vora të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

PD shton sulmet

Partia Demokratike ka vijuar edhe ditën e djeshme të shtojë sulmet në drejtim të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Ish deputeti demokrat Ervin Salianji në një dalje për media nga selia blu akuzoi kryeministrin Edi Rama se po hesht përballë provave, duke shtuar se ka ndarë miliona euro para publike me tendera dhe koncesione. Sipas Salianjit, Kajmaku është mbrojtur nga qeveria si çdo i inkriminuar tjetër në postet publike. “Me gjithë këto prova të pakundërshtueshme, Kajmaku i Rilindjes fshihet pas rreshtave të mashtrimit të Edi Ramës, i cili me kodin mafioz të heshtjes, mbron të inkriminuarin me të cilin është ulur në sofrën e pushtetit. Edi Rama prej 10 ditësh nuk ka thënë asnjë fjalë për mollën e kalbur nxjerrë nga shporta e krimit që mban në dorë. As ai dhe as Kajmaku i tij nuk thonë dot asnjë fjalë për fotografinë e njëjtë në dy pasaporta, sepse fytyra e vërtetë e krimit është në dy pasaportat e një njeriu të vetëm: Agim Kajmakut alias Jorgo Toto, personi që është arratisur nga Greqia. Edi Rama nuk flet më, sepse Jorgo Toto është Agim Kajmaku, njeriu me të cilin ndan miliona euro para publike me tendera e koncesione”, tha Salianji.

Sistemi TIMS

Më tej ish deputeti akuzoi prokurorinë se i kërkon llogari Partisë Demokratike për Kajmakun, por nuk sheh provat në sistemin TIMS. “Partia Demokratike prej më shumë se një javë, me prova të pakundërshtueshme ka denoncuar të inkriminuarin e radhës në pushtetin e Rilindjes, kandidatin e Ramës për Bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku apo siç njihet dhe kërkohet nga drejtësia greke me emrin Jorgo Toto. Dokumente nga Gjykata dhe Prokuroria e Athinës të publikuara provojnë se i përzgjedhuri i Ramës për të qeverisur qytetarët e Vorës, është i inkriminuari i radhës. Të dhënat e sistemit TIMS rrëzuan çdo alibi apo përpjekje të Ramës për të gënjyer, duke provuar se Agim Kajmaku është personi i arrestuar në Greqi si Jorgo Toto nën akuzën e trafikimit të parave të falsifikuara”, u shpreh ish deputeti demokrat Ervin Salianji.

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here