Piro Misha: Bibliotekës Kombëtare i kanë rënë në qafë, do t’i rikthej prestigjin

0
375

Drejtor i ri i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha shprehet se do të punojë për ti rikthyer prestigjin këtij institucioni. Prezantimi si drejtor në Bibliotekën Kombëtare u bë nga ministrja e Kulturës Elva Margariti, ku ishte e pranishme dhe Persida Asllani, që drejtoi disa vite këtë institucion. Në reagimin e tij drejtori Piro Misha gjatë prezantimit u shpreh se libri është jeta e tij dhe Biblioteka Kombëtare është institucion i rëndësishëm. “Ndonëse jam marrë gjithë jetën me librin, nuk kam qenë bibliotekar asnjëherë, por do mundohem që të rikthej prestigjin që ky institucion ka pasur” u shpreh Misha në prezantimin e tij. Duke folur për gjendjen që ka sot ky institucion Misha u shpreh se që tek hyrja është depresive. “Është një institucion, që i është rënë në qafë. Mjafton të hysh këtu, hyrja është depresive. Për mua është fyese, që Biblioteka Kombëtare në hyrje shënohet me shkronja të vogla, ndërsa dera është akoma prej alumini, e komunizmit” vijoi Misha. Edhe pse nuk janë të pakta problemet sot në këtë institucion, si drejtor Piro Misha theksoi dhe punën për koleksionin. “Unë mendoj, që një nga sfidat për mua intelektualisht është plotësimi i koleksionit. Ka ndodhur një gjë, që kjo bibliotekë, që kur u krijua nga Mit’hat Frashëri, ishte e domosdoshme që çdo gjë e lidhur me Shqipërinë duhet që të ishte edhe këtu. Edhe në kohën e komunizmit bliheshin të gjithë librat që botoheshin jashtë, ndërsa tani mungojnë. Kjo mund të jetë jo vetëm çështje financiare, por edhe kontaktesh. Prandaj ka nevojë, që shteti të ndihmojë më tepër”, tha Misha. Gjatë prezantimit të drejtorit, ministrja e Kulturës Elva Margariti mes të tjerave u shpreh se një nga angazhimet e qeverisë është çuarja para e Bibliotekës Kombëtare. Por edhe pse dihet se në çfarë gjendje është ky institucion, ende nuk dihet se ku do të jetë biblioteka e re dhe as se kur do të nisë puna për ndërtimin e saj. “E kam thënë që një fillim, që kjo godinë është një institucion i rëndësishëm për të gjithë vendin tonë, edhe është një përgjegjësi e madhe ajo që ka kaluar edhe pritshmëritë që ne kemi për të. Jemi në një proces, që mund të jetë vërtet i gjatë, por është një nga angazhimet kryesore të qeverisë vazhdimi edhe çuarja përpara e Bibliotekës Kombëtare. Pikë së pari duhet që të dakortësohemi se cili do të jetë funksioni në të ardhmen se cili do jetë vizioni i kësaj godine. Nuk do të jetë një fazë e shkurtër, por një fazë e gjatë, pasi është e vështirë që të kalohet nga një godinë në një tjetër”, tha ndër të tjera Margariti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here