Ish kryeministri Sali Berisha në një intervistë për il Giornale, botuar këtë të hënë, ka deklaruar se dhe Bashkimi Europian ka gabimet e veta në lidhje me Shqipërinë.
“Bashkimi Evropian nuk përjashtohet nga gabimet. Në raportin evropian të vitit 2016 për Shqipërinë, nuk u përmend asnjë nevojë urgjente për të luftuar drogën. Dukej si të ish shkruar në zyrën e Kryeministrit. Për më tepër, ish-ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, ishte implikuar në një skandal për blerjen e vendbanimit të saj zyrtar në rezidencën luksoze Rolling Hills. Vila e saj kushtoi 1.6 milionë euro, 4.700 euro për metër katror, ndërkohë që çmimet e tregut luhaten midis 1000 dhe 2000 euro për metër katror. Kjo ishte një blerje e dyshimtë që solli një hetim të brendshëm të Komitetit të Kontrollit të Buxhetit në BE”, ka thënë Berisha.
Sa i përkët mundësisë që vendi të marrë një dritë jeshile për negociatat, ish kryeministri thotë se çdo vit që kalon, Shqipëria largohet nga hyrja në Bashkimin Evropian.
“Kushtet e përcaktuara për anëtarësim nuk janë respektuar pothuajse asnjëherë. E vërteta është se Rama nuk ka asnjë interes që Shqipëria të anëtarësohet në BE, sepse është i vetëdijshëm se nëse kjo gjë ndodh sistemi që ka ndërtuar do të dështojë dhe fuqia e tij do të vendoset në rrezik”, thotë Berisha.