Ish-deputeti demokrat Tritan Shehu ka deklaruar se vendi ndodhet në krizë të thellë ndaj edhe zgjidhja që kërkohet është urgjente. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Shehu tha se vendit i nevojitet zgjedhje e menjëhershme politike, ndërsa theksoi se PD nuk do të heqë dorë nga kushti për zgjedhje të lira e të ndershme. “Vendi ndodhet në një krizë të veçantë dhe kërkohet zgjidhje. Vetëm kjo zgjidhje do të shfryjë tensionet, do krijojë optimizmin dhe do i japë mundësi vendit të zhvillohet. Shqipëria prej 6 vitesh nuk ka asnjë investim të huaj serioz. Investimet janë orientuar drejt Serbisë, Maqedonisë së Veriut. Kërkohet një zgjidhje politike që vjen vetëm në një mënyrë duke iu krijuar mundësitë qytetarëve të votojnë të lirë.PD është gati të heqë dorë nga gjithçka vetëm nga krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme jo. Kemi një krizë shumë komplekse e cila kërkon një zgjidhje globale, e cila mund të vijë vetëm nga një proces i sigurt.” u shpreh Shehu, ndërsa komentoi edhe dekretin e presidentit Ilir Meta për të mbajtur zgjedhjet vendore më 13 tetor. “Data 13 tetor është në bazë të një vendimi ligjor e kushtetues siç ishte dhe anulimi i 30 qershorit. Ata nuk respektuan dekretin e parë, ashtu vepruan dhe me dekretin e presidentit për 13 tetorin. Aleatët e PD shkuan për t’u regjistruar dhe i gjetën zyrat e KQZ të mbyllura. Përgjegjësia bie mbi ata që kreijuan një farsë më 30 qershor.” vijoi më tej ish deputeti demokrat.