Raporti, ja si Basha fundosi LSI me djegien e mandateve, përjashtimi i Hajdarit dhe Murrizit vetëm propagandë

0
395

Fjalët se djegia e mandateve nga opozita ishte një skenar i mirëmenduar duket se po dalin të vërteta. Që kur Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim morën vendimin për të dorëzuar në bllok mandatet, u përfol se në fakt ky ishte një plan i sofistikuar i Partisë Demokratike. Fakt është se me largimin e PD-LSI nga Parlamenti, mazhoranca miratoi pa problem ligjet e reformës në drejtësi. Nga ana tjetër, u dukën shumë të çuditshëm qëndrimet që mbajtën Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi nga radhët e demokratëve. Kur nuk pranuan ta digjnin mandatin, u tha se ata u përjashtuan nga Partia Demokratike. Por si duket nuk ka ndodhur kështu. Në raportin që Instituti i Studimeve Politike ka hartuar për krizën politike del në pah se përjashtimi i Hajdarit dhe Murrizit nuk është zyrtar, ose të paktën jo i dokumentuar. Pra, nuk janë ndjekur të gjitha procedurat. “Nuk kemi mbledhje të grupeve parlamentare për të përjashtuar kolegun e tyre dhe as ftesë ndaj kolegëve për t’u dëgjuar përpara vendimit. Përjashtimi vlen nga strukturat e larta drejtuese dhe në formë ultimative, ndërkohë që referuar statuteve të partive, përjashtimet nuk duhet të vijnë nga titullarët e partive por nga Komisioni Disiplinor/ Gjykata/ Komisioni i Apelit. Nga komunikimi me deputetët apo partitë respektive nuk rezulton të ketë ndonjë komunikim zyrtar statutor, siç nuk ka pasur ndonjë shpresë zyrtare adresuar Kuvendit, me detyrimin, që Kuvendi të bëjë çregjistrimin e deputetëve nga partitë politike respektive. Për më tepër, nga PD e LSI pati individë që pranuan më pas mandatin e deputetit për shkak të listës shumemërore, por për asnjë prej tyre nuk pati më ndonjë vendim politik përjashtimi apo formë tjetër të penalizmit”, thuhet në raport. Mesa duket, kemi të bëjmë me një lloj manipulimi ku publikisht ata deklarohen të përjashtuar, por zyrtarisht mungojnë disa procedura. Në këtë mënyrë, shtohen zërat se PD i bëri një puç LSI, e cila duket se është partia që e pësoi më shumë nga djegia e mandateve dhe që rrezikon shkrirjen.

Paligjshmëria e Parlamentit

Instituti i Studimeve Politike në raportin e tij ka rrëzuar edhe pretendimet e Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe të opozitës se Parlamenti me më pak se 140 deputetë nuk është i ligjshëm. Pak ditë më parë pati edhe disa fjalë se Meta mund të tentonte të shkrinte Parlamentin, duke qenë se nuk janë 140 deputetë brenda tij. Por për ISP, në asnjë ligj nuk është përcaktuar se Parlamenti duhet të ketë 140 deputetë me patjetër që të konsiderohet i ligjshëm. Madje në raport shtohet se kjo nuk është hera e parë që Parlamenti mbetet për një kohë të gjatë me më pak deputetë. “Mandate të pa konsumuara, pra bosh, janë 18 mandate nga 140 deputetë, në total 12% e të gjithë parlamentit. Debati nëse pjesa e mbetur vakante përbën devijim nga përcaktimi kushtetues është më shumë debat politik sesa juridik. Kushtetuta dhe legjislacioni mbështetës në Shqipëri nuk përcaktojnë detyrimin për të pasur gjithnjë 140 deputetë në parlament dhe në vetë tranzicionin shqiptar ka pasur vakanca për një periudhë shumë të gjatë edhe në ndonjë legjislaturë tjetër. Kuvendi arriti të ketë 122 deputetë nga 140 në total, pasi 40 deputetë të rinj morën mandate nga lista proporcionale e opozitës. Në këto rrethana, debati mbi legjitimitetin dhe kapacitetin për të funksionuar mori më shumë kohë e energji sesa debati mbi axhendën parlamentare”, thuhet në raportin e ISP.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here