Rikthehen përplasjet brenda Partisë Socialiste. Prej kohësh është folur se pakënaqësitë mes deputetëve të mazhorancës janë rritur ndjeshëm, ndërsa tani gjithçka po konfirmohet. Të mërkurën u mblodh Kryesia e Partisë Socialiste, e cila nuk ishte një mbledhje si ato të zakonshmet. Burime shumë të sigurta i thanë gazetës se në mbledhje ka pasur debate shumë të ashpra dhe përplasje jashtëzakonisht të forta mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Rasti i Valdrin Pjetrit i ka dhënë ish-ministrit Bushati arsye për të reaguar, kjo edhe për faktin se shefi i qeverisë e hoqi atë nga koordinator i Shkodrës, funksion të cilin e mbante deri para pak muajsh.
Akuza deputetëve se kanë filluar të flirtojnë me Metën
Sipas informacioneve, mësohet se debati ka qenë shumë i fortë, teksa i pari i qeverisë ka hedhur akuza se Presidenti Ilir Meta po tenton të përçajë Partinë Socialiste. Mësohet se shefi i selisë rozë është shprehur në mbledhje se, është në dijeni se disa deputetët po flirtojnë me kreun e shtetit për rrëzimin e qeverisë, ndërsa ua ka bërë të qartë se ata do ta nxjerrin kokën shumë shpejt dhe që sipas tij, do të marrin atë që meritojnë për këtë “tradhti”. Madje, për t’i sfiduar ata mësohet se Rama ua ka bërë të qartë se Partia Socialiste ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë forcë e parë dhe se armiqtë e saj ta harrojnë se do ta përçajnë. Ndërkohë, të njëjtat burime theksuan se mbledhja ka qenë shumë e tensionuar saqë në debate e sipër kryeministri Edi Rama ka lënë mbledhjen dhe është larguar përpara se ajo të përfundonte, duke përdorur si dalje një derë që selia e PS ka nga mbrapa, ballë për ballë me Kishën Ortodokse. Megjithatë, sikundër saktësuan burimet, mbledhja ka vijuar më pas me dyer të mbyllura edhe pas ikjes së shefit të qeverisë. Sipas informacioneve, mësohet se ajo është drejtuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ku në fokus të diskutimit ka qenë reformimi i degës së PS në Shkodër dhe ristrukturimi i PS në tërësi, pasi duke filluar nga shtatori kjo forcë politike do të hyjë në zgjedhje. Mësohet se Balla ka porositur anëtarët që të jenë vigjilentë ndaj këtij procesi, ndërsa ka kërkuar që prioritet për t’u zgjedhur anëtarët apo drejtues në Partinë Socialiste do të kenë personat e integritet të lartë moral dhe arsimor, si dhe të kenë kontribut të vyer në këtë parti dhe të jenë të respektuar në komunitetin ku jetojnë. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse kjo “luftë” klanesh brenda PS do të vijojë me përjashtime kundërshtarësh nga partia apo jo.
Bushati del nga rreshti i partisë
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dy ditë më parë doli nga rreshti i partisë në të cilën ai bën pjesë, duke hedhur akuza ndaj lidershipit të Partisë Socialiste dhe mënyrës se si kjo parti po thith dhe promovon zyrtarët e saj. Ish-ministri i Jashtëm foli në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së PS, ndërsa kërkoi marrjen e përgjegjësisë politike për përzgjedhjen e personave me rekorde kriminale në të shkuarën si kandidatë të kësaj force politike në zgjedhjet e fundit. Madje, Bushati e sfidoi Ramën teksa e cilësoi vendimin ku u është kërkuar të gjithë drejtorëve të Bashkisë së Shkodrës dorëheqja, si një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga problemi i vërtetë. “Ne nuk kemi nevojë për zhvendosje vëmendjeje me shkarkime në masë të njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me situatën e krijuar. Kjo është çështje që shkon përtej një organizate politike. Kemi përgjegjësinë për të hapur një debat dhe për të trajtuar rrënjët e këtij fenomeni dhe jo për të menaxhuar pasojat”, deklaroi Bushati.
Rigels Seliman