Surprizë në merkato, Hysaj drejt Valencias, Veseli drejt Superligës turke

0
404

Merkato po shkon drejt fundit, madje mbeten vetëm 48 orët e fundit të saj, megjithëse në Europë afati i fundit për merkaton verore skadon zyrtarisht më 2 shtator. Kemi të bëjmë me një surprizë të orës së fundit, kiu mbrojtësi kuqezi Elseid Hysaj është pranë zyrtarizimit tek Valencia në La Liga Spanjolle, pra tek një prej klubeve të shquara spanjolle, një lëvizje që po dëshirohet fort nga palët. Edhe pse menaxheri i Hysajt Mario Xhiufredi nuk ka qenë fort entuziast, nisur nga koha e paktë në dispozicion për të diskutuar me qetësi detajet financiare dhe në interes të lojtarit, duket se vetë shkodrani është i interesuar një orë e më parë të braktisë Napolin dhe të bëhet pjesë e një skuadre ku do të ketë mundësinë të luajë titullar. Pra Hysaj është pranë Valencias dhe nëse koha premton përfundimin e këtij operacioni, atëherë mbrojtësi kuqezi do të jetë sezonin e ri në Spanjë, pikërisht në stadiumin “Mestaja” të Valencias. Ndërkohë, një tjetër mbrojtës kuqezi po përjeton ankth në këtë fund merkato verore. Bëhet fjalë për Frederik Veselin, i cili ka gjasa të kalojë në ligën e parë turke. Lojtari nuk shihet në planet afatgjata të Empolit dhe për këtë arsye kampionati turk nuk duket krejt demode, për më tepër që pranon të mbajë ritëm të lartë page për futbollistin.

Hysaj tek Valencia nuk është më shaka

Kur dukej se ishte zhdukur çdo alternativë merkatoje dhe se Elseid Hysaj do të mbetej te Napoli, situata ka marrë një tjetër kthesë, madje të papritur, dhe mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare është vetëm një hap larg transferimit në kampionatin spanjoll. Mediat italiane raportuan mbrëmë se në garë për mbrojtësin shkodran është futur skuadra e Valencias, e cila humbi për një dëmtim të gjatë mbrojtësin Piçini dhe shikon Hysajn si futbollistin ideal për t’i besuar atë pozicion. Edhe menaxheri i Hysajt, Mario Xhiufredi pranoi se po negociohet mes palëve dhe se po nxitohet që të arrihet një marrëveshje brenda kësaj jave, pasi dihet tashmë që merkatoja mbyllet më 2 shtator. Paraprakisht thuhet se Valencia është ofruar të marrë shkodranin në huazim me të drejtë blerjeje për 18 milionë euro, por edhe formula e transferimit është ende duke u negociuar mes klubeve. Gjithsesi, ajo që ka rëndësi është se të tre palët, Napoli, Hysaj dhe Valencia, duan që ky operacion të përfundojë me sukses, ndaj edhe optimizmi për kryerjen e transferimit është shumë i lartë. Madje menaxheri Mario Xhiufredi nuk duket entuziast, paçka se mediat sportive italiane e bëjnë fakt të krye r këtë transferim. Fjalën e fundit do ta thonë dy klubet, gjithmonë nëse e arrijnë ose jo marrëveshjen, por ditët e fundit Hysaj ishte kontaktuar nga Ançeloiti, duke u projektuar edhe si mbrojtës që duhet të ndalonte Ronaldon në duelin kundër Juventusit.

Veseli drejt Denizlisporit

Nuk është vetëm Hysaj që dëshiron të largohet nga Serie A, e me gjasë kalimin në Spanjë. Por ka të tjerë që edhe pse nuk duan të largohen mund të transferohen gjetkë si pasojë e marrëveshjes së klubeve. Një tjetër mbrojtës kuqezi është në pritje të mësojë fatin e tij sezonin e ardhshëm. Kështu, mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Frederik Veseli është pranë transferimit në Turqi te skuadra e Denizlispor. Futbollisti është përfolur prej kohësh se do të largohej nga Empoli, megjithatë në ditët e fundit kishte një bllokim të negociatave me turqit. Madje, Veseli zbriti titullar për të tijtë në ndeshjen e kësaj jave të Serisë B, duke zhvilluar një paraqitje të mirë, e çka bëri të mendonte se ishte jashtë merkatos. Mirëpo, në orët e fundit ka pasur një afrim me klubin turk dhe mbrojtësi po merr kohën për të vendosur, nëse do të preferojë të nisë një aventurë të re. Ndërkaq, oferta financiare është më e mirë se te Empoli, megjithatë Veseli nuk është plotësisht i bindur nga ana sportive, teksa i duhet të largohet nga Italia për kampionatin turk.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here