Pronari i kompanisë “Ferluti”, Ferdinand Ibrahimi dhe Fatos Vrapi kanë kërkuar lirinë teksa kanë dalë para Gjykatës për t’u njohur me masat. Ata u arrestuan së bashku me 6 persona të tjerë për mashtrimin me biletat e urbanëve që shkaktuan një dëm prej 1 miliard lekësh kundrejt shtetit.
Mësohet se Ibrahimi ka kërkuar lirinë duke ofruar 6 milionë lekë të reja nëpërmjet avokatit të tij. Kurse Vrapi ka ofruar 1 milionë lekë për lirinë e tij.
Gjithashtu prokuroria ka ndryshuar qëndrim për Evisa Vorën, për të cilën kishte kërkuar masë sigurie arrest me burg. Për shkak të fëmijës së saj të mitur, organi i akuzës ka kërkuar detyrim paraqitjeje.
Ndërkohë pritet vendimi i Gjykatës.
Një ditë më parë u godit grupi i kompanive të transportit publik, pasi falsifikonin biletat e urbaneve. 4 pronarë dhe 4 punëtorë janë arrestuar, pasi përdornin bileta të falsifikuara në mënyrë që t’i shmangeshin detyrimeve tatimore.
Policia e Shtetit sekuestroi 150 mijë bileta, që ishin në tentativë shkatërrimi, me vlerë 60 milionë lekë të vjetra. Në pranga Ferdinand Ibrahimi i firmës “Ferlut”, i biri, Anastas Ibrahimi, administratori i linjës së Unazës, Fatos Vrapi këshilltar bashkiak në Tiranë dhe gruaja e tij Albana Vrapi ortake.
Persona të tjera të arrestuar janë Lulëzim Allaraj, 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë dispeçer i një linje autobuzash, Evisa Vora, 33 vjeçe, banuese në Tiranë që ka në pronësi linjën e Porcelanit. Gjithashtu është vënë në pranga edhe Aldi Duka, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre dispeçer i një linje autobuzash, Klodiana Qato, 42 vjeçe, banuese në Tiranë, ekonomiste në një shoqëri autobusash.