Banka e Shqipërisë duket se është institucioni që ka dalë më i fituar nga falimentimi i “Veneto Banka”. Sigurisht që të fituar kanë dalë dhe “Intesa Sanpaolo”, “SGA” apo “Transit”, por BSH ka fituar shumë pa u lodhur fare, vetëm duke lejuar batërdinë me kreditë. Gazeta prej disa javësh ka nisur një cikël shkrimesh denoncuese që tregojnë skandalet që kanë ndodhur me bankën italiane “Veneto”. Kjo bankë falimentoi dhe sot vuajnë punonjësit dhe klientë e saj. Institucioni që duhej t’i ndihmonte i braktisi. Bëhet fjalë për Bankën e Shqipërisë, pasi ky është institucioni përgjegjës për mbarëvajtjen e sistemit bankar. Por pse Sejko hesht? Pse Banka e Shqipërisë nuk ka dalë në një reagim publik dhe të sqarojë gjithë procedurat që u ndoqën për Bankën “Veneto”? Pse nuk jep sqarime se si u zhdukën kolateralet? Gazeta do të tregojë se çfarë fitoi guvernatori pa mandat Gent Sejko. Ishte Fullani, ai i cili me manovra nga më të ndryshmet licencoi pa fund banka dhe institucione financiare. Ndërkohë, Sejko po vijon në gjurmët e tij, duke lënë pa kontroll sistemin bankar.
Fitimet e Sejkos
“Veneto Banka” kaloi për 1 euro te “Intesa Sanpaolo”. Kjo fundit mori të gjitha asetet dhe kreditë e mira, ndërsa “SGA” mori kreditë e këqija. Deri këtu gjithçka në rregull. Por masakra ndodhi me kreditë e këqija, të cilat u rritën në mënyrë të beftë, për të vetmen arsye se shteti italian i kompensonte. Fillimisht u dhanë 5 miliardë euro për “Intesa Sanpaolo”, ndërsa mediat italiane deklarojnë se do përfitojë dhe 7 miliardë euro të tjera. Por nga loja me kreditëe këqija 25 milionë euro shkuan provigjionime për BSH. Më konkretisht, në momentin që u bë falimentimi i “Veneto Banka” dhe asetet bashkë me detyrimet u blenë nga “Intesa Sanpolo”, shteti italian akordoi 5.2 miliardë euro në total për këtë të fundit, nga ku: 4.8 miliardë euro do të shërbejnë për të ruajtur normën e kapitalit bazë të Intesa Sanpaolo (12,8%) dhe 400 milionë euro për garanci. Një gjë e tillë konfirmohet dhe nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili lejoi kalimin e kapitaleve. “Të gjitha këto autoritete punuan ngushtë për të përfunduar procesin në një kohë shumë të shkurtër dhe për të siguruar një tranzicion të qetë dhe vazhdimësinë e biznesit për asetet italiane dhe të huaja të BPVI dhe Veneto Banca. Shteti italian ka zgjedhur Intesën si blerës përmes një procedure të hapur, të drejtë dhe transparente të shitjes. Shteti italian do të japë injektime në para prej rreth 4.785 miliard euro dhe garanci shtetërore deri në përafërsisht 12 miliard euro, veçanërisht për financimin nga Intesa të masës së likuidimit”, thuhet në raportin e Autoritetit të Konkurrencës. Por nga gjithë kjo histori BSH përfitoi 25 milionë euro provigjionime, ndërsa e njëjta shumë pritet të përfitohet dhe nga 7 miliardë eurosh i dytë. Pra duket se Gent Sejko del shumë i fituar në këtë mes.
Të dhënat
Në bilancin e 2015-s, “Veneto Banka” raportoi një humbje prej 1 miliard lekësh, si rrjedhojë e shpenzimeve të larta për provigjionime (që u rritën nga 653 milionë lekë në 1.2 miliardë lekë). Sipas të dhënave të pasqyrave financiare të raportuara nga banka, në fund të vitit 2016, nga portofoli total bruto prej rreth 14.7 miliardë lekë, 26% konsiderohej e humbur. Kredia e dhënë në Tiranë paraqitej veçanërisht problematike, ku gati një e treta e stokut prej 8.7 miliardë lekësh nuk kishte shpresë për arkëtim. 25 milionë euro kredi të këqija në vitin 2016 shkuan tek falimenti, LCA Veneto Banca spa, plus 25 milionë euro kredi të këqija në vitin 2017 shkuan po tek falimenti LCA Veneto Banca spa, plus 25 milionë euro provigjionime të Bankës së Shqipërisë, shkojnë në 75 milionë euro kredi të këqija. 150 milionë euro ishte shuma e kredive në Veneto Banka sh.a, ç’ka do të thotë që 50% e aktivitetit të kreditimit të kësaj banke ishte një “kredi e keqe”. Por BSH e lejoi gjithë këtë katrahurë. Nga gjithë kjo 25 milionë euro shkuan për provigjonime te BSH.
Kliti Topalli
































