Google search engine

    Margariti: Së shpejti nis puna për restaurimin dhe ekspozimin e gurit të Xhuxhës

    0
    582

    Puna për restaurimin dhe ekspozimin e gurit, që u zbulua në fshatin Xhuxhë të Luginës së Fanit në Mirditë pritet të nisë së shpejti. Gjatë një takimi në Muzeun Historik Kombëtar me banorët e fshatit, ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se u kërkua jo vetëm restaurimi, por dhe kryerja e gërmimeve arkeologjike në vendin ku u zbulua ky gur. “Një vend legjendash, pas së cilave banorët janë lidhur brez pas brezi. “Aty ka qenë fillimi i botës”, thotë një nga burrat më të vjetër të fshatit Xhuxhë të Luginës së Fanit, në Mirditë, që ka marrë rrugën për në Tiranë për të ndjekur fatin e pllakës së gurit me piktograme, që u zbulua rastësisht. U takuam me banorët e Xhuxhës rreth gurit, në Muzeun Historik Kombëtar, ku ai ndodhet sot. Të shqetësuar me të drejtë për një pjesëz të historisë së zonës së tyre, ata na kërkuan jo vetëm restaurimin dhe studimin e gurit, por edhe për kryerjen e gërmimeve arkeologjike në territorin e zbulimit, vendosjen e tabelave orientuese, pse jo dhe shtrimin e rreth 17 kilometrave rrugë që të çon atje”, shprehet ministrja e Elva Margariti. Sipas ministres së Kulturës puna për restaurimin dhe ekspozimin e gurit do të nisë së shpejti, ndërsa të gjithë ishin dakord për zhvendosjen e tij në Tiranë. “Të gjithë ramë në një mendje, që ardhja e gurit në Tiranë jo vetëm do ta shpëtojë këtë objekt të shpallur pasuri kulturore, por edhe do të orientojë vëmendjen e arkeologëve, studiuesve, historianëve dhe turistëve. Puna për restaurimin e gurit dhe ekspozimin e tij do të nisë shumë shpejt”, shprehet ministrja e Kulturës. Ky gur prehistorik është një objekt me rëndësi të veçantë për trashëgiminë tonë kulturore. Guri me piktograme prehistorike doli në dritë disa javë më parë, pas punimeve për çeljen e një rruge. Ishin banorët e Xhuxhës që lajmëruan menjëherë institucionet përgjegjëse për këtë zbulim. Pas zbulimit më datë 18 gusht u zhvendos në Muzeun Historik Kombëtar. Banorët e kësaj zone fillimisht e kundërshtuan idenë e lëvizjes së gurit nga vendi ku u zbulua, por tashmë duket se gjërat kanë ndryshuar. Objekti konsiderohet si një nga zbulimet më të rëndësishme nga arkeologët dhe renditet krahas “simotrave” të zbuluara në vitet ‘60-‘70 në Xibër të Matit, në Rubik, apo në Lepenicë të Vlorës.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here