Të tjera detaje janë mësuar në lidhje me vrasjen mafioze të 26-vjeçarit, Santiago Malko, që tronditi mbrëmjen e djeshme kryeqytetin. Nga ajo që ka lënë pas krimi, dukej se ishte i mirë menduar dhe i bërë nga njerëz profesionit, pasi të pakta ishin gjurmët që u lanë në vendngjarje.
Një breshëri plumbash u derdhën mbi makinën e Santiago Malkos që në fund i morën dhe jetën. Krimi i mirëplanifikuar nga vrasësit ka forcuar dyshimet e policisë se 26 vjeçari është ekzekutuar për hakmarrje.
Sipas burimeve nga Policia e Tiranës mendohet se Malko është përfshirë në një atentat në Durrës, ku u përdor e njëjta skemë. Po të njëjtat burime shtojnë se Malko dyshohet se ka qenë një nga atentatorët që lanë të vdekur Edison Harizaj, i cili u qëllua me 50 plumba.
Këto janë dyshimet e para të policisë, pasi duhet shumë punë, mbledhje dhe analizim i provave për të gjetur autorët e vërtetë të ngjarjes dhe motivet e saj. Deri tani, provë për policinë janë gëzhoja dhe një makinë që u dogj në fshatin Ferraj.