Kineastët: Moszhvillimi i festivalit të filmit shqiptar krijon anomali, nuk duhet mohuar nga institucionet

0
540

Kineastët shprehen se festivali i filmit shqiptar duhet të zhvillohet dhe nuk duhet mohuar nga institucionet. I realizuar ndër vite ky festival ka sjellë për publikun prodhime të filmave shqiptarë nga regjisorë të njohur në fushën e kinemasë. Festivali i 13 i filmit shqiptar u zhvillua në nëntor të vitit 2012 dhe që nga kjo kohë nuk është folur më për të. Sipas kineastëve, nuk mundet dot vetë Qendra Kombëtare e Kinematografisë ta zhvillojë festivalin ku duhet të jenë pjesëmarrës dhe filma me regjisorë shqiptarë nga Kosova apo dhe Maqedonia, por duhet të jetë mbështetëse Ministria e Kulturës, sepse buxhetet ndahen prej saj. Për kineastë të njohur festivali i filmit shqiptar duhej të ishte zhvilluar që para disa vitesh, por duket se nga Ministria e Kulturës nuk është menduar. Kineasti Esat Musliu shprehet se ne kemi prodhimtari filmash, por buxhetet në jetën artistike ndahen nga Ministria e Kulturës. “Unë kam biseduar dhe me kineastë të tjerë dhe mendonim çfarë është kjo që ndodh për festivalin e filmit shqiptar? Duhet të ishte bërë festivali, sepse ka prodhimtari. Nuk mund të mohohet më festivali nga Ministria e Kulturës, ajo duhet patjetër ta bëjë, sepse të gjitha aktivitetet kulturore ajo i financon. Madje dhe udhëtimet që shkojnë regjisorët në festivale të ndryshme duhet ti financojë Ministria e Kulturës, sepse ajo i ka buxhetet për aktivitete të tilla” shprehet Musliu në reagimin e tij. Duke folur për festivalin regjisori i njohur Esat Musliu pohon se zhvillimi i tij ka shumë rëndësi edhe për brezat e rinj në regjisurë. “Në këtë festival duhet të marrë pjesë çdo prodhim filmi që flitet shqip. Jo vetëm në Kosovë por dhe në Maqedoni mund të ketë prodhimi filmi shqip. Festivali ka mjaft rëndësi, sidomos dhe për brezat e rinj të regjisorëve, sepse janë dy shkolla filmike që prodhojnë regjisorë vit për vit. Unë kam nxjerrë tre breza regjisorësh, janë 36 regjisorë. Erenik Beqiri që po konkurron tani është studenti im dhe është shumë i talentuar. Më vjen keq, që sot ka kineastë që shkojnë dhe jashtë shtetit në festivale të ndryshme me shpenzimet veta, sepse Ministria e Kulturës nuk i financon”, shton më tej kineasti Esat Musliu. Moszhvillimi i këtij festivali, që ka nisur dekada më parë sipas kineastit të njohur krijon anomali, pasi ata që zhvillohen përgjatë një viti në vend nuk janë ato që duhet për filmin shqiptar. “Moszhvillimi e festivalit krijon anomali. Në ministri duhet kërkuar që patjetër të bëhet festivali i filmit shqip. Është produkti i tërë këtyre viteve, që akoma nuk ka hyrë në konkurrencë. Filmat duhet të konkurrojnë me njëri- tjetrin qoftë filmat artistikë me metrazh të gjatë, të shkurtër, ata dokumentarë etj. Konkurrenca në film duhet, të merret vlerësimi dhe nga opinioni publik si dhe nga kritika. Bëhen disa festivale te ne që janë nga privatët, por ato janë periferike, nuk kanë atë jehonë që ka festivali i filmit shqiptar. Por duke mos u bërë festivali nuk kemi konkurrencë dh nuk flitet për vlerat e filmit”, pohon më tej kineasti i njohur Esat Musliu.

Festivali kërkon angazhim

Festivali i filmit shqiptar është harruar nga institucionet, që nuk po kujtohen që tradita e tij ka nisur që në vitin 1976. Për kineastin Skënder Jaçe koha ka ardhur që festivali të mos mungojë në jetën artistike. “Koha ka ardhur dhe do të ishte mjaft bukur, pasi kemi mjaftë prurje këto vitet e fundit, por një festival do një angazhim dhe një buxhet më vete që të jetë dinjitoz, mos harrojmë se jemi ne 2019 dhe koha ka kërkesa të tjera. Por besoj dhe është e mundur që të realizohet, shpresojmë”, shprehte ai. Sipas kineastit Skënder Jaçe ky festival nëse zhvillohet duhet të konsiderohet si një festë e filmit shqiptar. “Unë kam qenë disa vite rresht në organizimin e festivaleve të filmit artistik shqiptar dhe atij vizatimor e dokumentar, më beso ishte privilegj të siguroje një ftesë. Është një festë e vërtetë dhe një risi ku kineastët përplasen me idetë e tyre dhe publiku balancon vlerat dhe kapacitetin krijues të tyre. Është vërtet bukur”, vijon Jaçe. Sipas kineastëve që janë shprehur më parë, festivali para viteve ‘90 zhvillohej një herë në dy vjet, vijoi një herë në tre vjet dhe më pas një herë në 4 vjet. Në vitin 2012 ishte i fundit që u zhvillua. Festivali i 13 i filmit shqiptar u zhvillua nga data 3 deri më 9 nëntor 2012 në kinema Millenium. Programi parashikonte 15 filma artistikë, 19 të shkurtër, 17 dokumentarë dhe 12 vizatimorë. 

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here