Google search engine
Home Politike Jepen sinjale për dialog, nënkryetarja e grupit të CDU-CSU takime me Ramën...

Jepen sinjale për dialog, nënkryetarja e grupit të CDU-CSU takime me Ramën e Bashën, kreu demokrat nuk tërhiqet nga protestat

0
661

Kreu demokrat Lulzim Basha duket se po tenton të bëjë një lojë të balancuar sa i takon krizës politike. Ishte ai që çoi në pozitën drejt djegies së mandateve dhe braktisjes së zgjedhjeve, e për këtë arsye presionet ndaj tij kanë qenë në rritje. Nga njëra anë Berisha-Meta dhe LSI i kërkojnë rrëzimin me patjetër të Ramës, ndërsa ndërkombëtarët kërkojnë dialog. Basha po mundohet që t’i mbajë marrëdhëniet mirë me të gjitha palët. Në një deklaratë dje për mediat, ai u shpreh se opozita do u rikthehet protestave në shtator, por nga ana tjetër dha dhe sinjale dialogu duke deklaruar se PD do të dalë në një platformë konkrete. I pyetur nga gazetarët se nëse do të vijojnë protestat në shtator dhe çfarë aksionesh do të ndërmarrë opozita, Basha u përgjigj se aksionet kanë vijuar edhe gjatë verës, po ashtu tha se protestat do të vazhdojnë në shtator. “Por së bashku me qytetarët shqiptarë, opozita, përveç protestave, që do të jenë edhe më të mëdha, edhe më të fuqishme, në një situatë që është edhe më e vështirë, edhe më e pakapërdishme për njerëzit, siç është kjo e sotmja, me ekonominë, me gjendjen e një krize totale, me buxhetin e vjedhur e të grabitur, me taksa të rritura edhe më shumë, që parashikojnë e parathonë protesta edhe më të fuqishme. Do të fokusohemi edhe më shumë në zgjidhjet që do t’u ofrojmë shqiptarëve, zgjidhje të cilat do të jenë si në rrafshin e përditshmërisë së tyre, ku po punojmë intensivisht, në kuadër të programit tonë për marrëveshje me të gjitha grupet e interesit. Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar kanë gati dhe janë gati që bashkë me shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, duke përfshirë edhe socialistët e ndershëm, të dëshmojnë kapacitetet dhe vendosmërinë tonë për t’u dhënë fund problemeve të cilat kanë bllokuar perspektivën evropiane të Shqipërisë, në veçanti luftën kundër krimit të organizuar, dhënien fund të pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin”, deklaroi Basha dje.

Sinjale për dialog

Kreu i PD foli edhe për rolin që do të kenë gjermanët në zgjidhjen e krizës. Ai u pyet nga gazetarët nëse gjermanët do të luajnë negociatorin në këtë situatë dhe Basha tha se e vlerësojnë vëmendjen e tyre dhe kontributin që ata japin për Shqipërinë që të mos ngelë mbrapa. Ndër të tjera ai foli edhe për takimin e djeshëm me nënkryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Katja Leikert, e cila është takuar dhe me kryeministrin Rama. Këto duket se janë sinjale se mund të ketë një dialog mes palësh. “Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar janë në bashkëpunim dhe koordinim të përditshëm me të gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe ne e vlerësojmë shumë rolin e tyre, vëmendjen e tyre. Në këtë rast padiskutim që vlerësojmë edhe rolin, interesin dhe ndihmën që Gjermania, Bundestagu gjerman, CDU-CSU si pjesë e Bundestagut, japin për të mundësuar që Shqipëria të mos mbetet prapa, mos të mbetet peng i krimit dhe korrupsionit, por të ecë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, të ecë drejt hapjes së negociatave. Padiskutim që vendi mund të shkojë dhe do të shkojë drejt Bashkimit Evropian duke u sjellë si një vend evropian, duke u sjellë si shoqëri evropiane, duke u sjellë si politikë evropiane dhe pengesa kryesore sot për këtë është kapja politikës, institucioneve dhe ekonomisë nga një grup i strukturuar kriminal që tashmë çdokush e ka identifikuar si Organizata e Rilindjes me në krye Edi Ramën”, ka deklaruar dje Basha për rolin e gjermanëve.

Basha flet për 13 tetorin

Kreu demokrat ndër të tjera foli edhe për datën e re të zgjedhjeve që ka dekretuar presidenti Ilir Meta. Pyetjes se çfarë do të ndodhë në 13 tetor Basha i është përgjigjur duke thënë se është një tjetër tregues i kapjes së institucioneve të lira. “Data 13 tetor është data kushtetuese për zgjedhjet vendore e dekretuar nga Presidenti i Republikës. 13 tetori është një tjetër tregues i kapjes së të gjitha institucioneve të lira dhe i paligjshmërisë në të cilën është zhytur i ashtu quajturi KQZ dhe institucionet e tjera që e kishin për detyrë kushtetuese të nisnin procesin zgjedhor vendor me 13 tetor”, u shpreh ndër të tjera Basha.

Arbjona ÇIBUKU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here