Italia dukej mbrëmë se do t’i shmanget zgjedhjeve të reja të kërkuara nga kreu i Legas, Matteo Salvini, teksa ish-aleatët e tij Lëvizja 5-Yje po kryenin bisedime intensive me të opozitën e majtë Partia Demokratike, për një koalicion që do të çonte mandatin aktual deri në fund. Presidenti u ka lënë kohë partive deri mëngjesin e sotëm, para thirrjes së zgjedhjeve të parakohshme. Dje pasdite 5-Yje anuluan takimin e negociatave prej kërkesës së PD për të mos mbajtur përsëri si kryeministër Giussepe Conte. Partia e Di Maio tha se po viheshin “postet para programeve”, por negociatat rinisën më vonë pas kompromiseve. Vetë Conte ka qenë pjesë e negociatave mes kreut të 5-Yje, Luigi Di Maio, dhe homologut të tij të PD, Nicola Zingaretti, që të martën zgjatën deri në orët e para të mëngjesit. “Ne mirëpresim lëshimet e anëtarëve të lartë të PD mbi rolin e ardhshëm të kryeministrit. Jemi të hapur për dialog, por mbi të gjitha Lëvizja 5-Yje kërkon të flasë për zgjidhjet ndaj Italisë”, thuhej në deklaratën e partisë.
Posti i Di Maio
Burime të afërta me diskutimet thanë dje se një tjetër pikë kontradiktash në negociata është refuzimi i kryetarit Di Maio për të hequr dorë nga posti i zv. kryeministrit në këmbim të mbajtjes së postit nga Conte. Në formë kompromisi për këtë Di Maio tha se do të lejonte që PD të merrte postin e ministrit të brendshëm. Lëvizja 5-Yje tha se vendi është në një fazë delikate që vjen pas një krize që nuk ishte shkaktuar prej tyre. Kreu i grupit të PD në Senat, Andrea Marcucci tha se partia e tij mirëpret qartësimin e Di Maio se nuk ka kërkuar ministrinë e brendshme në një koalicion të mundshëm me PD. “Ky më duket një sinjal pozitiv, ndoshta dhe një hap përpara”, tha Marcuçi. Burime të tjera në PD thanë se marrëveshja e mundshme mund të rrezikohet nga ambiciet personale të Luigi Di Maio. I gjithë kaosi ka nisur nga rinisur nga ministri i brendshëm italian, kreu popullor i Lega-s Matteo Salvini, i cili papritur ka tërhequr mbështetjen e tij nga aleanca me 5-Yje, në dukje për të shfrytëzuar popullaritetin e tij në rritje për t’u bërë kryeministër. Ai ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë Conte, para se ky i fundit të jepte dramatikisht dorëheqjen javës që shkoi.
Conte sërish kryeministër
Lëvizja 5 Yje në pushtet në Itali, ka thënë dje se do të diskutojë për koalicion me të majtët e PD vetëm nëse ata mbështesin si kryeministër Giuseppe Conte dhe kjo tashmë është pranuar nga qendra e majtë. M5S gjithashtu ka anuluar takimin me PD-në që ishte planifikuar të mbahet sot në mbrëmje. “Nëse ata dëshirojnë që të shkojnë në zgjedhje, duhet ta thonë këtë hapur. Ne rikujtojmë se M5S është partia më e madhe politike në parlament”, thuhej në kumtesën e 5-Yje, duke iu referuar PD. Bisedimet për të formuar një koalicion të ri në Itali filluan javën e kaluar pas dorëheqjes së Contes, pasi u prish koalicioni mes partisë populiste M5S dhe partisë së ekstremit të djathtë “Lega “. Tensionet mes ish partnerëve të koalicionit u përshkallëzuan formalisht për shkak të një projekti infrastrukturor që përfshin një lidhje hekurudhore të shpejtë me Francën. Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për ndarjet e thella në koalicion, gjë që çoi që Salvini të kërkojë zgjedhje të reja. 5-Yje dhe partia e Salvinit formuan një qeveri koalicioni më 1 qershor 2018 nën udhëheqjen e kryeministrit teknokrat Conte. Nëse 5 Yje nuk arrin të mbyllë një marrëveshje me PD, Presidenti Sergio Mattarella do të emërojë një qeveri të përkohshme dhe do të thërrasë zgjedhjet e parakohshme.
Andi Lamko