Google search engine
Home Aktualitet Helidon Haliti, me veprën “Dhia e kuqe” në Bienalen Ndërkombëtare të Artit...

Helidon Haliti, me veprën “Dhia e kuqe” në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Pekin

0
373

Me veprën “Dhia e kuqe” piktori i njohur Helidon Haliti merr pjesë në edicionin e tetë të Bienales Ndërkombëtare të Artit, që hapet nesër në Pekin. Me një aktivitet të vlerësuar në krijimtarinë e tij, këtë herë piktori Helidon Haliti prezantohet me një vepër të realizuar në vitin 2018 nga cikli “Fabulous”, që për herë të parë prezantohet në publik. Bienalja e këtij viti që hapet nesër në Muzeun Kombëtar të Pekinit në Kinë bën bashkë mbi 100 artistë nga shtete të ndryshme të botës, mes tyre dhe artisti shqiptar Helidon Haliti. Këtë vit në edicionin e tetë të bienales në Pekin artistët me veprat e tyre prezantohen në mediume të ndryshme si në skulpturë, pikturë, etj. Piktori Helidon Haliti shprehet se ka piktura “Dhia e kuqe” është puna e fundit e cikli i pikturave “Fabulous”. “Unë përfaqësohem me veprën time në pikturë, që quhet “Dhia e kuqe” me dimensionet 130 centimetra me 110. Kjo pikturë është e fundit nga cikli “Fabulous” dhe është një udhëtim i imi personal përmes përrallave, miteve si ai i “Kostandinit dhe Doruntina”, dhe në vend të kalit kam përdorur simbolikën e dhisë si simbol më kombëtar dhe si engjëll i ekuilibrit”, pohon piktori për këtë punim në pikturë, që është në teknikën e vajit. Ky është edicioni i tetë i Bienales Ndërkombëtare të Arit në Pikin ku janë të gjitha mediumet, por piktori Helidon Haliti tregon se pjesëmarrja me veprën e tij erdhi pas një konkurrimi. “Bienalja e Pekinit nuk është se ka vetëm gjininë e akuarelit. Unë kam konkurruar në këtë bienale ashtu si dhe të tjerë artistë nga bota dhe padyshim edhe nga Shqipëria dhe isha fitues. U zgjodha të jem pjesëmarrës në atë bienale, ku janë mediume të ndryshme që nga skulptura, piktura, instalacioni, etj. Është një nga bienalet më të mëdha të këtij lloji në Pekin dhe në botë. Për mua është herë e parë që unë marr pjesë në një bienale të përmasave të këtij lloji, me disa mediume. Kjo është paralelja e Bienales së Artit në Venecia, ku ajo i përket artit kontemporan, ndërsa në Pekin është e mirëfilltë mbi artin pamor, pra mbi artin e pikturës, skulpturës etj”, pohon piktori i njohur.

Jo vetëm ekspozim, por dhe aktivitete të tjera në bienale

Vlerësuar si mjeshtër i akuarelit piktori Helidon Haliti tregon se në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Pekin janë rreth 30 kuratorë. “ Kjo është një bienale më transparente në Pekin, ku artisti konkurron vetë. Artisti nuk konkurron në mënyrë dixhitale, por konkurron në mënyrë materiale, që do të thotë dosja shkon fizikisht, më pas ata kanë disa stade. Ka rreth 30 kuratorë bienalja në Pekin të Kinës, që brenda një koncepti të përbashkët ata e shpërndajnë në 30 kuratorë të ndryshëm, të cilët janë shtetas kinezë dhe ndërkombëtarë dhe secili ka pavionin e tij”, tregon mes të tjerave piktori Helidon Haliti. Piktori tregon se ka 16 vjet që bëhet kjo bienale në Pekin, por ka edhe një program të pasur. “Nuk mbahet vetëm me ekspozim, por dhe me të tjera aktivitete, edukimi përmes artit, simpoziume, demostrime live, vizita në qendra historike dhe është Muzeu i Artit Kontemporan më prestigjiozi i Pekinit. Unë marr pjesë me një vepër e re, e bërë në dhjetor të viti 2018 dhe për here të parë ekspozohet”, pohon piktori Helidon Haliti. Me pikturën Helidon Haliti tregon se merret që nga viti 1982, që kur ka filluar shkollën e mesme nuk ka ndaluar asnjëherë. Në vijim të vlerësimeve me aktivitetin e tij, piktori Helidon Haliti u vlerësua edhe me titullin “Mjeshtër i madh” në Bienalen e Hong Kongut. Ky çmim ndërkombëtar për piktorin që përfaqësoi Shqipërinë erdhi pas vendimit të jurisë, ku vlerësoi Helidon Halitin ndër 300 artistë të tjerë ndërkombëtarë nga rreth 60 shtete.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here