Rikthimi i rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni në detyrë duket se ka rikthyer edhe shkeljet e detyrës. Ishte dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule ai i cili gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se masa administrative e pezullimit e marrë nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini dhe kërkesa për shkarkimin e Konit nuk kanë dhënë asnjë efekt. Në një konferencë për mediat, teksa foli për listat e maturantëve fitues në universitete, dekani e ndali theksin edhe tek kjo çështje. Sipas Kules, Mynyr Koni jo vetëm që nuk ka reflektuar, por pasi u rikthye në detyrë e ka shtuar dozën e shkeljeve. Ai theksoi se abuzimet në Universitetin e Tiranës janë shtuar. Madje Dhori Kule paralajmëroi se këto shkelje i ka të faktuara dhe do t’i bëjë publike së shpejti. “Me rikthimin e tij në detyrë me dekret presidencial janë vënë re më shumë shkelje, abuzime më të rënda. Paligjshmëria është flagrante. Por të gjitha do të shfaqen, do të bëhen publike shumë shpejt”, deklaroi Dhori Kule. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë paralajmëroi edhe Presidentin e Republikës, Ilir Meta se për sa kohë që ky i fundit i ka dalë në mbrojtje rektorit të Universitetit të Tiranës, atëherë do të mbajë edhe përgjegjësi. Sipas Kules, të gjitha kostot e abuzimeve të Mynyr Konit do të duhet t’i mbajë përsipër presidenti. “Ai tani ndjen se ka mburojë që ta mbrojë dhe prandaj e ka shtuar dozën e abuzimeve. E përsëris që shkeljet janë shumë të rënda. Atij i duket se ka mbrojtjen e presidentit. Tani shkeljet do t’i faturohen atij se është ai që i ka dalë në mbrojtje duke e rikthyer në detyrë”, u shpreh Dhori Kule. Mesa duket, pozitat e rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni do të lëkunden sërish. Ai u kap në shkelje të rëndë gjatë një auditi që Ministria e Arsimit kreu në universitet dhe pas kësaj, Besa Shahini kërkoi shkarkimin e tij. Por kjo kërkesë u refuzua nga presidenti Ilir Meta, i cili vendosi ta rikthejë në detyrë të pashqetësuar Konin. Mirëpo duket se emri i tij do të lakohet sërish sepse pritet që Dhori Kule, i cili gjithmonë ka denoncuar paligjshmëritë e Konit, të nxjerrë në publik shkeljet e tjera të tij. Në këtë mënyrë do të rikthehen edhe tensionet dhe përplasjet mes Dhori Kules dhe Mynyr Konit.
Shkeljet e Mynyr Konit
Mynyr Koni rrezikoi shkarkimin sepse iu zbuluan një sërë shkeljesh gjatë auditit të Ministrisë së Arsimit. Një nga këto shkelje ishte ushtrimi i detyrës nga ana e Konit duke tejkaluar kompetencat e tij. “Ushtrim funksionesh dhe kompetencash nga ana e organeve dhe autoritetet drejtuese të UT në kapërcim të kompetencave të dhëna nga kuadri ligjor në fuqi dhe duke shkaktuar shkelje të ligjit dhe dëme financiare”, thuhet në audit. Po ashtu, Mynyr Koni nuk ka protokolluar vendimet e Senatit dhe të Rektoratit dhe e ka lënë firmën në dorë të emrave të paautorizuar. “Vendimet e Senatit dhe të Rektoratit nuk janë protokolluar në institucion. Procesverbali i mbledhjes së Rektoratit me nr. 4, datë 08.03.2017 dhe procesverbali nr. 2, datë 17.03.2107 i mbledhjes së Senatit nuk janë nënshkruar nga Kryetari, procesverbali nr. 3, datë 26.04.2017 i Senatit është firmosur për sekretarinë nga një person që nuk është sekretar (D. Panariti), ndërkohë që neni 3 i ligjit Nr. 8480, datë 27.05.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”, parashikon dy anëtarët e organit kolegjial për zëvendësimin e përkohshëm në rast të mungesës së kryetarit apo sekretarit”, është një tjetër shkelje e Mynyr Konit.
Mimoza Ibra







































