Braziliani Nejmar po pret që sheiku i Paris San Zhermenit, Al Khelaifi të vërë dorën në zemër e ta lerë të lirë të largohet, në mënyrë që “ylli” brazilian të mund të kthehet në “Kamp Nou”, pra tek Barcelona, skuadra e tij e dëshiruar. Por deri më tani kanë dështuar të gjitha bisedimet dhe Nejmar vijon të jetë pjesë e skuadrës franceze, edhe pse e gjitha kjo është kundër vullnetit të tij. shkak janë bërë polemikat e shumta, rivaliteti me Kavanin dhe Mbapenë, apo dhe marrëdhëniet e tensionuara me shokët. Ndërkohë, dita e djeshme ishte mjaft intensive midis Barcelonës dhe klubit francez, për të arriture një marrëveshje. Katalanasit ofruan shumë rekord të tyre, që shkon në 170 mln euro, por duket se as kjo ofertë e fundit dhe një shifër rekord, nuk e ka shkulur nga “istikami” presidentin e Parisit, Al Khelaifi, që insiston që Nejmar të shitet po me shumën që u ble, pra për 222 mln euro. Kështu, referuar medieve sportive spanjolle, dje paradite ndodhi një tjetër operacion “blic” i Barcelonës në Paris për të mbyllur përfundimisht çështjen Nejmar. Sulmuesi brazilian dëshiron me çdo kusht rikthimin në Katalonjë dhe drejtuesit e klubit blaugrana janë paraqitur me një ofertë të re në drejtim të Paris San Zhermen. Oferta e Barcelonës për të rikthyer në shtëpi Nejmar mesa duket kap shifrën e 170 milionë euro, 52 milionë euro më pak nga sa shpenzoi PSG dy vjet më parë për ta transferuar në Francë. Në orët e ardhshme bisedimet mes palëve do të jenë edhe më të shpeshta dhe gjasat për t’u arritur një akord janë të mëdha, kjo për vetë faktin sepse 27-vjeçari kërkon largimin dhe gjatë kësaj periudhe nuk është aktivizuar në asnjë takim me Paris San Zhermenit.
Takimi mes zyrtarëve të klubeve
Por asgjë nuk u arrit në fund të ditës, edhe pse Nejmar kishte shpresë se diçka e mirë do të ndodhte. Janë vetë mediat sportive franceze që lajmëronin që dje në mbrëmje se takimi mes Barcelonës dhe Paris San Zhermenit në Paris ka përfunduar tashmë, por pa ndonjë marrëveshje për kthimin e Nejmarit në Katalonjë. Megjithatë, negociatorët e Barçës janë larguar nga ky takim me homologët e tyre parisienë me ndjesi pozitive se marrëveshja do të arrihet, shkruan “Mundo Deportivo”, gazetë e afërt me klubin spanjoll. Naser Al-Khelaifi, presidenti i PSG-së, nuk ka qenë pjesë e takimit. Në anën tjetër, Barçën e kanë përfaqësuar shefi ekzekutiv, Karskar Grau, menaxheri Havier Bordas dhe sekretari Erik Abidal. Bisedimet me Leonardon, drejtorin sportiv të PSG-së, kanë shkuar mirë dhe pavarësisht se nuk është arritur marrëveshje përfundimtare, Barça është e bindur se do t’i arrijë qëllimit ta kthejë Nejmarin në klub para se të mbyllet afati kalimtar veror më 2 shtator. Barça uron se Nejmar do të vazhdojë të kërkojë nga klubi ta lërë të rikthehet në Barcelonë, duke qenë se kjo ka qenë dëshira e tij tash e një vjet.
Adriatik BALLA