Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga Përmbarimi që të zbatojë vetëm ligjin shqiptar sa i takon sekuestrimit të kolateraleve. Gazeta ka denoncuar se si “SGA” dhe “Tranzit” po sekuestrojnë pronat e shqiptarëve përmes Përmbarimit. Por në një shkresë që ka siguruar gazeta të Ministrisë së Drejtësisë, kërkohet që Përmbarimi të zbatojë me kujdes ligjin. “Edhe mbledhja e detyrimeve financiare me mirëkuptim, jashtë procesit të ekzekutimit të detyrueshëm, e cila deri më tani ka qenë e parregulluar nga legjislacioni i posaçëm, me ndryshimet ligjore, është një veprimtari që kryhet vetëm nga shërbimi përmbarimor gjyqësor. Ndaj çdo veprim, i kryer nga subjekte që ligji nuk u njeh kompetencën funksionale për mbledhjen e detyrimeve, mund të përbëjë vepër penale, si përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore, parashikuar në nenin 246 të Kodit Penal”, thuhet në letër. Nga ana tjetër, MD ka vënë në lëvizje dhe prokurorinë, duke kërkuar informacione mbi manovrat që po përdorin SGA dhe Tranzit me mbledhjen borxheve. Gazeta ka denoncuar me fakte se si qytetarëve u kërkohet të paguajnë kredinë në një llogari bankare të hapur në “Intesa Sanpaolo Bank”. Për këtë gjë MD ka kërkuar informacione, duke fundosur dhe guvernatorin Sejko, i cili ka lejuar këtë katrahurë. “…prokurorisë, si organi përgjegjës për ushtrimin e ndjekjes penale, sa i përket verifikimit tëpretendimeve se, SGA spa, ku u kërkon klientëve shqiptarë të Veneto Banka sh.a., që tëpaguajnë kreditë duke derdhur shumat për përmbushjen e detyrimeve, pranë një llogarie bankare të hapur pranë ISP apo veprimeve që kryen shoqëria TRANZIT sh.p.k.. qëpretendohet nga ankuesi se përfaqëson shoqërinë Societa per la Gestione di Attivita-SGA spa”, thuhet në letër. Më tej bëhet e ditur se Mistria e Drejtësisë nuk ka informacion të qartë mbi mënyrën se si në fakt po bëhet mbledhja e detyrimeve nga kredimarrësit pranë ish “Veneto Banka sh.a”, përthithur tashmë nga “Intesa Sanpaolo Bank”. “Por në çdo rast, duam të sjellim në vëmendjen tuaj se, nëse bëhet fjalë për një proces ekzekutimi të detyrueshëm dhe shtrirje të veprimeve mbi kolateralet që kanë shërbyer si garanci për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kredimarrja pranë kësaj banke, ekzekutimi kryhet ekskluzivisht dhe vetëm sipas legjislacionit procedural shqiptar, nga shërbimi përmbarimor gjyqësor (privat apo shtetëror)”, theksohet më tej.
Heshtja e Gent Sejkos
Më të dëmtuarit në këtë mes janë klientët e “Veneto Banka”. Teksa “Intesa Sanpaolo Bank” në Shqipëri u ka dërguar një letër detyrimi borxhi që ata i detyroheshin Veneto Banka sh.a, sa hap e mbyll sytë u ka ardhur një tjetër letër. Këtë herë nga Italia, nga ana e “SGA spa” e cila papritur bëhet kreditori i ri i kredive të klientëve të “Veneto Banka sh.a”. Në ditët në vijim gazeta do tregojë me fakte dhe batërdinë që ka ndodhur në këtë aspekt. Pra, të gjitha këto ndodhin në hundën e Bankës së Shqipërisë. Gent Sejko është personi, i cili lejoi falimentimin dhe kalimin e “Veneto Banka” te “Intesa Sanpaolo”. Në vendimin e tij, thuhet qartë se Këshilli Mbikëqyrës i BSH ngarkohet të ndjekë me kujdes gjithë procedurën e falimentit. Por sa aktiv ishte BSH në këtë aspekt? Faktet tregojnë së kjo bankë ka fjetur gjumë dhe ka lejuar masakrën që ka ndodhur. Edhe një njeri që nuk ka fare formim ekonomik dhe nuk ka informacion mbi bankat nis të dyshojë kur sheh që një bankë rrit kreditë e këqija me 150 për qind. Në vitin 2016 “Veneto banka” raportoi se kishte 17 për qind kredi të këqija të të gjitha kredive. Ndërsa në vitin 2017, kur dhe ndodhi falimenti, kjo shifër shkoi në 42 për qind. Pra doli banka me kreditë më të larta të këqija. Rezulton se gati gjysma e kredive që kishte “Veneto” u bënë të këqija me një të rënë të lapsit. BSH duhej që këtu të ndërhynte dhe të sqaronte masakrën. Por heshtja e BSH ka bërë që më pas këta persona që janë futur në listën e zezë të përballen me sekuestrim pronash. Fakti që shteti italian vijon të japë lekë e tregon fare qartë arsyen se përse është rritur numri i kredive të këqija.
Kliti Topalli










































