Trupi i një emigranti nga Iraku, i cili u përpoq ta kalonte ngushticën mes Francës dhe Britanisë së Madhe përmes notit, është gjetur i vdekur në brigjet e Belgjikës.
Sipas mediave vendase, emigranti 48 vjeç u gjet në Zeebrugge, i veshur me një jelek të improvizuar me shishe plastike dhe duke mbajtur një çantë të vogël me dokumentet e identifikimit.
Lajmi u bë i ditur nga zyra e prokurorit të qytetit Bruges. Zyrtarët besojnë se burri vdiq pasi kishte nisur të notonte nga një plazh në Francën veriore drejt tokës britanike. Ata mendojnë se rrymat e ujit e kanë dërguar trupin e tij në territorin ujor të Belgjikës, shkruan “The Guardian”.
Sipas një agjencie belge të lajmeve, ai ishte përpjekur të shkonte në Britani përmes notit pasi i ishte refuzuar kërkesa për azil në Gjermani.