Muzeu Historik Kombëtar, gushti me vizitorë të shumtë

0
552

Muzeu Historik Kombëtar vijon të mbetet atraksioni kulturor dhe historik për vizitorët vendas dhe të huaj edhe për muajin gusht. Institucioni bën me dije se muaji gusht, mbas suksesit të dyfishimit të numrit gjatë muajve janar – korrik krahasuar me një vit më parë, vijon të ketë një numër të madh vizitorësh. “Vizitorë të shumtë kanë ardhur në muze për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, shpjeguar kjo nëpërmjet artefakteve dhe objekteve të ekspozuara në pavionet e Muzeut Historik Kombëtar”, shprehet muzeu. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu është konceptuar i tillë, që prezantimi të bëhet nëpërmjet tetë pavioneve. Pavioni i lashtësisë, i mesjetës, i rilindjes kombëtare, i pavarësisë, i ikonave, i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, i terrorit komunist dhe i Nënë Terezës. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai përfton, ruan dhe studion, provat materiale dhe jo materiale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin dhe argëtimin. Muzeu Historik Kombëtar u inaugurua më 28 tetor të 1981. Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit. Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës drejtohej nga personalitete të shquara si, Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Burhan Çiraku, Kleanthi Dedi, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksandër Meksi etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here