“Është një hap i madh që ka vullnet për zhvillimin e bisedimeve me Iranin”, tha sot kancelarja gjermane Angela Merkel duke njoftuar se ende nuk mund të shprehet nëse do të dalë apo jo ndonjë rezultat nga këto bisedime. Kancelarja gjermane Angela Merkel lidhur me përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes ndaj krizës së përjetuar me Iranin në çështjen e marrëveshjes bërthamore tha se “Është një hap i madh që ka vullnet për zhvillimin e bisedimeve”. Në kuadër të samitit G7 që zhvillohet në qytetin Biarritz të Francës Merkel në lidhje me Iranin deklaroi se bisedimet e vendeve evropiane, veçanërisht ato të Francës me Iranin janë mirëpritur në mënyrë të hapur dhe se këto bisedime janë zhvilluar në koordinim me SHBA. Pasi ka rikujtuar edhe deklaratën e dhënë nga presidenti iranian Hassan Rouhani se nuk duhet të humben këto mundësi, kancelarja Merkel tha se “Ky nuk është një sinjal që del jo vetëm nga Biarritz, por shihet në të njëjtën mënyrë edhe nga ana tjetër”. Ajo tha se ata janë në favor të një zgjidhjeje politike për Iranin duke shtuar se ky është një proces i brishtë, i gjatë dhe i vështirë. Dje edhe ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif pas një ftese të bërë nga Franca udhëtoi në qytetin Biarritz ku po mbahet samiti G7, ku dhe u takua me presidentin e Francës Emmanuel Macron, ministrin e Jashtëm Jean-Yves Le Drian si dhe me ministrin francez të Ekonomisë, Bruno Le Maire.