Në parlamentin shqiptar nuk dallojnë vetëm deputetë dhe politikanë aktivë dhe të zellshëm për të ligjëruar dhe debatuar në seancat plenare.
Raporti i periudhës janar-gusht 2019 i publikuar nga Instituti për Studime Politike përcaktoi në bazë të efikasitetit të pjesëmarrjes dhe komunikimit në Kuvend 10 deputetët më pak aktivë, që nuk janë shprehur gjatë mbledhjeve të Kuvendit.
Tek kjo listë figuron dhe ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, por dhe emra të tjerë të njohur si Sadri Abazi, Lefter Koka, Tom Doshi. Renditja kryesohet deputeti i PS-së në Qarkun e Shkodrës Luan Harusha.
Pjesë nga raporti i ISP-së për sesionin parlamentar janar-gusht 2019:
Tek lista e deputetëve më pak efektivë vijojnë të jenë të njëjtët emra si edhe në raportimet e monitorimeve të kaluara të legjislaturës parlamentare, – biznesmenët Sadri Abazi, Lefter Koka, Tom Doshi, Luan Harusha, si dhe deputetja e zgjedhur në emër të PDIU më 2017 në Dibër, Reme Lala. Në pjesën fundore të listës bëjnë pjesë edhe emra që ndodhen për herë të parë në renditje negative, siç është rasti i ish-ministres së Kulturës Mirela Kumbaro. Dy deputetët e tjerë, Arben Kamani dhe Gjetan Gjetani, kanë pasur dhe vijojnë të kenë profil të ulët politik në parlament.