Dështon formula për vjeljen e taksës së pronës nga bashkitë, në korrik u mblodhën 200 milionë lekë më pak se një vit më parë

0
424

Bashkitë duket se nuk janë të afta të vjelin taksën e pronës. Diçka të tillë e tregojnë statistikat e nxjerra nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë. Sipas të dhënave, 61 bashkitë në vend nuk ja kanë dalë dot të mbledhin taksën e pronës bashkë me faturat e energjisë elektrike sipas formulës së re, e cila hyri në fuqi që në datën 1 janar të vitit 2019. Nga treguesit fiskalë rezulton se taksa mbi ndërtesën e mbledhur në 7 muaj është thuajse në të njëjtat shifra të një vitit më parë, ku në total janë mbledhur rreth 3.5 miliardë lekë. Ndërsa vetëm gjatë muajit korrik, vendorët mblodhën 300 milionë lekë, nga 500 milionë që u mblodhën në të njëjtën periudhë të një viti më parë, çka tregon rënie të performancës dhe ecuri negative. Këto shifra tregojnë fare qartë se bashkitë e vendit nuk ishin gati të “përqafonin” formulën e re dhe ta kryenin me sukses këtë detyrë. Përveç mos-funksionimit të metodologjisë së re, duhet theksuar se një tjetër faktor që ka ndikuar tek ky produktivitet i ulët janë zgjedhjet vendore. Duke qenë se gjatë këtij viti të 61 bashkitë e vendit ishin të angazhuara edhe me përgatitjet për procesin e zgjedhjeve lokale, duket se kanë “harruar” apo nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje vjeljes së taksës së pronës.

Shtyrja

Pak kohë më parë Shoqata e Bashkive të Shqipërisë u duk se e paralajmëroi “dështimin”. Pak para se të hynte në fuqi formula e re dhe të niste nga zbatimi, Shoqata reagoi duke mos e pranuar propozimin e qeverisë. Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive tha se kjo bie ndesh me legjislacionin. “Ky kontroll i tepruar duke ndërhyrë me këtë mekanizëm bie ndesh me parimet e decentralizimit, ndarjes se pushteteve. Projekt-vendimi jo vetëm bie ndesh me legjislacionin, por del edhe kundër synimit të Reformës Administrative Territoriale”, u shpreh ai. Edhe pse ishte parashikuar të hynte në fuqi që në prill, qeveria vendosi që ta shtyjë zbatimin e taksës së re me kërkesë të bashkive për në datën 1 janar 2019. Periudha deri në janar të 2019 u la si periudhë tranzitore, që do iu lejonte njësive vendore që të përgatiteshin mirë, në mënyrë që në 1 janar 2019, të gjitha njësitë vendore të aplikonin taksën e pronës në bazë të vlerës. Por pavarësisht këtyre masave, si duket bashkitë nuk janë ende gati për këtë detyrë. Prej vitesh, taksa e pronës në Shqipëri është paguar si tarifë fikse mbi sipërfaqen. Por, me formulën e re ajo llogaritet sa 0.05% e vlerës së pronës. Sipas qeverisë, kjo formulë bën një shpërndarje më të drejtë të barrës fiskale. “Do t’i japë më shumë mundësi tatimpaguesve që të dinë se çfarë dhe për çfarë janë duke paguar dhe do t’i japë më shumë mundësi qeverisjes vendore që të ketë një kontroll më të mirë mbi territorin dhe mbledhje taksash më transparente”, sqaroi ish-ministri Arben Ahmetaj para pak kohësh.

Deklarimi pranë UKT

Nga ana tjetër, Ujësjellës Kanalizime Tiranë është vënë në lëvizje për zbatimin e taksës vjetore të banesës. UKT ka marrë masa duke iu bërë apel qytetarëve që të bëjnë vetëdeklarimet për sipërfaqet banuese, në mënyrë që të kenë të dhëna më të sakta për çdo familje. Pranë Ujësjellës Kanalizime Tiranë është ngritur edhe Drejtoria e Taksës së Pronës që të menaxhojë këtë sektor. Dokumentet që duhet të paraqesin në pikat e ujësjellësit janë: Kopjo ID, certifikata e pronësisë me kartelën e pasurisë, kontratë shit-blerjeje apo dhe vetëdeklarimi te ALUIZNI, si dhe librezën e ujit apo një fature UKT. Vetëdeklarimi më pas verifikohet nga UKT me zyrat e Hipotekës apo ALUIZNI-t nëse banesa është në proces legalizimi. Taksa vjetore do të paguhet çdo muaj në vit për të mos rënduar qytetarin. Ajo nuk do të jetë më 100 lekë në muaj, por përllogaritet në bazë të sipërfaqes së banesës dhe çmimit për metër katror. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here