Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Arlind Gjokutaj thotë se javën që vjen me ministren e Financave do të bëjnë publike gjetjet nga kontrolli i informalitetit në fushën e karburanteve, zhvilluar në dy muajt që kanë kaluar.
Deklaratën e bëri gjatë intervistës dhënë gazetarit të TVSH Bardhi Sejdarasi ndërkohë që paralajmëroi edhe një furtunë të madhe largimesh nga Drejtoria e Doganave të të gjithë atyre që kanë lejuar shkeljet në bizneset, që janë kontrolluar.
”Është hera e parë që kemi bërë një kontroll të detajuar, nga depozitat te pikat e shitjes me pakicë. Kemi evidentuar shumë shkelje, që nga sasia në depozitë dhe deklarimet e faturave çka ka rritur dyshimet për hedhjen e naftës në treg duke shmangur detyrimet. Javën e ardhshme me ministren e Financave do të bëjmë publike dhe subjektet me abuzime” deklaroi drejtori i përgjithshëm i Doganave.
Ai tha se gjithë ky informalitet nuk do të ndodhte nëse nuk do të kishte edhe mbështetjen dhe bashkëpunimin e punonjësve doganorë, të cilët, në shumë raste janë paralajmëruar për largim nga detyra dhe në të tjera janë larguar.
“Stafi i doganës përveç trajnimit po kalon në sitë. Që do të thotë në subjektet me shkelje do të mbajnë përgjegjësi edhe doganierët që kanë pasur nën kontroll këto subjekte”, tha Gjokutaj.
Ai shtoi se për të gjithë subjektet me abuzime është aplikuar ligji i akcizës që parashikon gjoba 1 deri në 5-fish të vlerës që është shmangur detyrimi.
“Kjo është bërë për t’i kujtuar biznesit se nuk mund të shmangë detyrimin ligjor”.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Doganave thotë se në shtator, do fillojë kontrolli për gjithë subjektet që tregtojnë me shumicë dhe pakicë mallrat e tjera të akcizës që janë cigaret dhe alkooli. Vonesa në kontrollin e tyre ndodh pasi energjitë u mblodhën këto muaj në informalitetin dhe në kontrollin e cilësisë së karburanteve.