Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet e vitit 1990, të cilat i paraprinë rrëzimit të regjimit komunist. Gazeta “New York Times”, ka treguar se si Ramiz Alia që në këtë vit po jepte sinjale se po i vinte fundit diktaturës. Ata kanë renditur disa prej zhvillimeve që solli ai.
Shqipëria nis epokën e ndryshimit
20 qershor 1988
Disa vjet më parë udhëheqësit në Shqipëri, vendi më i izoluar i Evropës, ndaluan praktikën e detyrimit të të huajve të disinfektoheshin para se të hynin në vend, që nuk ishte shumë si sinjal i parë, por të paktën ishte një fillim. Vaska me disinfektant në kufirin me Jugosllavinë ishte bërë për t’u mbrojtur nga sëmundjet, por diplomatët thonë se ishte një mesazh për përçmimin ndaj botës së jashtme, nga Moska, në Uashington deri në Pekin. Tashmë sinjalet kanë ndryshuar pak. Shqipëria mbetet vendi i vetëm ateist në botë dhe statujat e Stalinit ende dominojnë qytetet e vendit, ashtu si Policia Sekrete që shtrëngon fort frerët ndaj disidencës. Megjithatë udhëheqja në Tiranë ka nisur hapjet duke vendosur marrëdhënie me Spanjën, Gjermaninë Perëndimore e Kanadanë. Më vonë, këtë vit kryeministri grek Andreas Papandreou do të bëhet udhëheqësi i parë i Perëndimit që viziton vendin komunist që prej marrjes së pushtetit të partizanëve komunistë të Enver Hoxhës. Sipas specialistit britanik Geoffrey Stern, ka gjithashtu shenja modeste të zbutjes së kontrollit ekonomik brenda vendit. Stern tha në një intervistë telefonike se ndryshe nga vende të tjera komuniste, njëfarë transparence e re e Shqipërisë nuk përshtatet plotësisht me parimin e ‘glasnost’ të mbrojtur nga udhëheqësi sovjetik Mikhail S. Gorbachev. Tirana është prishur me Bashkimin Sovjetik në 1961 dhe nuk ka pasur më të bëjë me Moskën. Stalini tashmë dënohet si diktator në BRSS ndërsa në Shqipëri ai është ende pjesë e zbukurimeve shtëpiake. “Nisja e procesit të reformave mund të shihej në Shqipëri që para ardhjes së Gorbachov,” thotë Stern. Sipas tij një nga arsyet është prishja e marrëdhënieve me Kinën dhe ndalimi i ndihmës së saj ekonomike. Stern thotë se teknikët kinezëkur u larguan morën me vete planet e projekteve industriale që po ndërtonin, prandaj Shqipëria po kërkon tjetërkund teknologji për t’i përfunduar ato. Kur Hoxha vdiq në 1985, u zëvendësua nga Ramiz Alia, ideologu i partisë që po kërkon ndryshimin. “Kemi një seri lëvizjesh drejt decentralizimit, drejt ndryshimit të pagave mes profesioneve, duke nisur nxitjet profesionale, edhe pse në fazat e para”, thotë Stern. Ka konsensus mes studiuesve të Shqipërisë se ashtu si Gorbaçov, dhe Alia përballet me rezistencë nga figurat konservatore të stabilimentit, të cilët janë mbledhur rreth vejushës së Hoxhës. ”Alia po has rezistencë për lëvizjet,” tha një diplomat perëndimor. Vendi prej 3 milionë banorësh ruan ende traditat e tij komuniste; praktikimi i fesë ndalohet, ashtu si automobilat privatë, si dhe shënimi me kryqe i varrezave të pakicës kristiane. Ndërsa për të ndaluar depërtimin e të huajve, Kushtetuta shqiptare ndalon huat nga vende të huaja. Ajo është vendi më i varfër në Evropë dhe në treg ka mungesa të produkteve bazë si qumështi. Turistët lejohen vetëm në grupe të shoqëruara, ndërsa ata që kanë mjekër duhet të vizitojnë berberin në pikën kufitare për një rruajtje të detyruar. Historikisht, Italia ka qenë dritarja e Shqipërisë ndaj Perëndimit prej televizionit të saj, ndërsa së fundmi është hapur një linjë tragetesh përmes Adriatikut. Por edhe Greqia vitet e fundit ka nisur të konkurrojë si mike e Tiranës në hapjen e saj të kujdesshme me botën e jashtme. Zyrtarët grekë për shembull, marrin meritat e bindjes së Shqipërisë për të marrë pjesë në Konferencën Ballkanike të Beogradit në shkurt. Greqia ka interes të veçantë ndaj Shqipërisë prej minoritetit të saj atje që sipas saj arrin në 200 000 në jug. Kryeministri Papandreou është përpjekur të joshë Tiranën vitet e fundit me ato që kundërshtarët e tij thonë se janë tolerime të panevojshme, pa marrëgaranci për të drejtat e minoritetit grek-folës. Tashmë Greqia ka hequr dorë nga pretendimet territoriale për jugun e Shqipërisë. Në të njëjtën periudhë, vizitorët grekë në Shqipëri u rritën me 1,265 në vitin 1985 në rreth 6,000 vitin e kaluar. Numri i shqiptarëve grekë që lejoheshin të vizitonin Greqinë u rrit nga 42 në vitin 1983 në më shumë se 500 në 1987.
Shqipëria nxiton drejt asaj që quan ‘demokratizim’
22 mars 1990
Pa shumë zhurmë Shqipëria ka nisur një program afatgjatë të asaj që udhëheqja e vendit quan ”demokratizim” të institucioneve sociale ekonomike të vendit. Tipare të këtij programi përfshijnë proces zgjedhor për drejtorët e ndërmarrjeve industriale dhe bujqësore në fshat, debate publike për ndryshime në arsim dhe decentralizim në sistemin e ashpër të planifikimit ekonomik për t’i dhënë më shumë fuqi autoriteteve lokale. Pas 45 vjet politikash staliniste presidenti Ramiz Alia, kryetar i Partisë Komuniste, ka nisur të zgjerojë marrëdhëniet e vendit me Perëndimin dhe Lindjen si dhe duke zbutur politikat e brendshme.
Avokat për të akuzuarit
Zyrtarët thonë se ndryshime po ndodhin dhe në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Prej kohësh në qeverinë shqiptare nuk ka pasur Ministri të Drejtësisë. Të dyshuarit thjesht arrestoheshin, akuzoheshin dhe nxirreshin para gjyqit ose prokurorëve shtetërorë. Por së shpejti do të krijohet Ministria e Drejtësisë dhe avokatët e mbrojtjes do të lejohen të përfaqësojnë të akuzuarit që prej momentit të arrestimit. Përveç kësaj sipas zyrtarëve do të reduktohet numri i krimeve të dënueshme me vdekje, teksa parlamenti po punon për kodin e ri penal. Ndryshime të tjera janë njoftuar nga President Alia në një fjalim të 22 janarit në Komitetin Qendror të partisë, ku ai foli me simpati ndaj ndryshimeve që po ndodhin në Evropën Lindore vitin e kaluar, të cilat sollën rënien e komunizmit në Poloni, Hungari, Gjermaninë Lindore, Çekosllovaki, Bullgari e Rumani. Alia ka thënë në janar se qeveria e tij do të ndjekë rrugën e “demokratizimit” duke ruajtur esencën e socializmit për të “evituar vuajtjet dhe fatin e kombeve të tjera të Evropës Lindore”. Është ende herët për të gjykuar se sa të vërteta janë këto pretendime dhe në Shqipëri nuk mund të merret kollaj informacion. Por ajo që Alia ka ndërmend për vendin e tij është njëfarë revolucioni gradual, për të parandaluar që vendi të mbetet prapa zhvillimeve në Evropën Lindore. Një zyrtar tha për zhvillimet në Shqipëri: ”Është në fakt momenti për të bërë ndryshime. Ne nuk kopjojmë evropiano-lindorët, kemi mënyrën tonë, por nuk e harrojmë mjedisin ndërkombëtar”. “Ne nuk duam të zhdukim socializmin. Kemi marrë masa të shumta për të parandaluar atë që ndodhi në Evropën Lindore, po përpiqemi të gjejmë zgjidhje origjinale sepse në këto raste nuk mund të përdorësh teorinë”. I pyetur nëse kishte opozicion ndaj ndryshimeve në Shqipëri, zyrtari përsëriti idetë e Alias duke thënë se ”krijohen pengesa nga burokracia e cila është e vendosur thellë në shtet”. Burokracia duket së është fjala në kod për stalinistët e vjetër të aparatit që janë mësuar t’i bëjnë gjërat sipas modelit Enver Hoxha, udhëheqësit të vjetër komunist që vdiq në 1985.
Popullata e re
Këto janë disa nga ndryshimet që janë aplikuar ose pritet të kryhen së shpejti në Shqipëri:
* Zgjedhje me votë të fshehtë në këshillat bashkiakë, ndërmarrje, ferma, Parlament dhe në organizatat.
* Kufizim me 10 vjet të mandateve në poste qeveritare, me analizë të performacës pas pesë vjetëve dhe mundësinë e shkarkimit nga kolegët. Mandati i zyrtarëve të partisë kufizohet në 5 vjet, kurse ai i deputetëve të parlamentit në 12 vjet.
* Transferim i autoritetit të ministrive te zyrtarët lokalë apo ndërmarrjet individuale.
* Nisja e motivuesve të prodhimit në industri e bujqësi, duke lejuar lëvizjet e çmimeve për disa mallra konsumi.
Udhëheqja Alia duket se po i bazon reformat e saj në të rinjtë e Shqipërisë, duke parë dhe që mosha mesatare në vend është 27 vjeç. Në një takim me nxënës e studentë këtë muaj të transmetuar në televizion Alia tha: ”Të rinjtë janë një forcë revolucionare. Jeta e të rinjve duhet jetuar dhe debati revolucionar duhet zhvilluar, për të evituar shtypjen e të rinjve nga manifestimet e burokracisë dhe formalizimit”.
20 prill, 1990
Qeveria e Shqipërisë, një nga regjimet më radikale komuniste në botë, ka sinjalizuar sot se dëshiron të ketë marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik. Ndryshimi i politikës publike të armiqësisë me Moskën e Uashingtonin kërkoi rreth tre dekada, teksa presidenti Ramiz Alia tha se si rezultat i zhvillimeve ndërkombëtare “ka rihyrë në axhendë problemi i rivendosjes së marrëdhënieve me SHBA dhe Bashkimin Sovjetik”. Në një fjalim të gjatë të martën në Komitetin Qendror të partisë, i cili u publikua sot nga Agjencia telegrafike Shqiptare, Presidenti Alia përmendte ”boshllëkun e gjerë” që ndante vendin e tij me dy superfuqitë dhe shtoi se miqësia do të pritet me miqësi.
Oferta që prej 1974
”Nëse tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik, siç pretendojnë ata, dëshirojnë të ndryshojnë qëndrimin ndaj Shqipërisë, ne nuk kemi arsye të mos e mirëpresim,” tha Alia, Sekretari i Parë i partisë prej pesë vitesh. Sipas zyrtarëve të Departamentit të Shtetit nuk ka pasur diskutime direkte mes zyrtarëve të dy vendeve për marrëdhëniet diplomatike, edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë bërë oferta të vazhdueshme për hapje me Shqipërinë që prej vitit 1974. Më e fundit ishte më 28 nëntor, Ditën Kombëtare të Shqipërisë, kur shërbimi shqip i Zërit të Amerikës transmetoi një deklaratë të drejtorit të çështjeve të Evropës Lindore në DASH, James W. Swihart, i cili tha se ”sigurisht që ne nuk shikojmë pengesa” në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Tiranën si dhe shtoi se administrata është ”është gjithmonë e gatshme për dialog”.