Spartak Ngjela: Kryeministri grek mesjetar, kapen te minoriteti pasi dalin zbuluar për pushtimin e territoreve shqiptare

0
351

Avokati Spartak Ngjela ka reaguar ditën e djeshme në Facebook mbi paralajmërimet e  kryeministrit grek se do të vendosë kushte për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Pyetja që ngre Ngjela është se cili është ky minoritet.Kryeministrat grekë, me ndonjë përjashtim, “minoritet grek” quajnë aneksimin e Jugut të Shqipërisë. Dhe, e dini pse? Se ata nuk mund të pranojnë që të ketë ortodoksë që të flasin shqip. Domethënë, shqiptarë. Sepse iu del zbuluar pushtimi i territoreve të gjera shqiptare, dhe gjithë politika e ndyrë që kanë bërë në 150 vjet kundrejt arvanitasve në Greqi dhe gjenocidit antishqiptar e antiçam në Epir”, ka shkruar dje Ngjela. Avokati Ngjela i ka cilësuar kryeministrat grekë si mesjetarë. Ndër të tjera Ngjela ka theksuar se këta pasi pushtojnë territoret shqiptare, me gjenocid, dëbojnë nga tokat e tyre shqiptarët myslimanë, si turq. “Ky ka qenë turpi i tyre historik. Dhe këtë gjithmonë ia ka pranuar edhe Stambolli, kurse pastaj, shqiptarët ortodoksë nuk i lënë të flasin shqip, dhe i detyrojnë të deklarohen “helenë”. Ja, kjo është metoda e tyre çnjerëzore kundër shqiptarëve në këta 150 vjetët e fundit”, ka shkruar ai. Avokati e ka cilësuar kryeministrin e ri grek si më të paaftin. “Pse, kryeministri grek, që nuk di se ku ka kokën, do ta mundë këtë politikë të madhe! Le më pastaj injorantët liderë të Shqipërisë që shkojnë deri te Erdogani për të njëjtën gjë. Qesharakë janë këta ballkanas që nuk dinë asgjë dhe iu duket se dinë gjithçka. Gjithsesi, lodhen kot së koti dhe fare kot”, ka argumentuar ai. Në përmbyllje të reagimit të tij, Ngjela argumenton se pse kryeministri grek flet kështu. Sipas Ngjelës, ai flet kështu sepse ka frikë nga potenca që po akumulon dhe do të akumulojë bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor. “Sidomos kjo do të shihet qartë pas përfundimit të reformës që ka nisur kundër liderëve të korruptuar të Shqipërisë, të gjithë të shitur te fqinjët dhe te armiqtë shekullorë të shqiptarëve dhe kundër botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Por, një gjë është e sigurt: kjo kohë e re po punon për shqiptarët. Prandaj, edhe kryeministri grek është mirë ta rregullojë gjuhën brenda kontekstit historik”, ka përmbyllur reagimin e tij avokati Spartak Ngjela.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here