Kukësi ka fituar me rezultatin 1-0 ndaj Partizanit falë golit të sulmuesit Vasil Shkurtaj. Trajneri Duro e nisi ndeshjen me ndryshime, pasi afrimi i ri Obanor debutoi si titullar. Lerda nga krahu tjetër preferoi Bardhin dhe Brown duke lënë në stol Solominin dhe Çinarin. Asani i dëmtuar dhe nuk ishte as në stol.
Sfida ishte e qetë dhe shumë e kujdesshme në pjesën e parë. Të dy skuadrat nuk rrezikuan dhe nuk kaluan në aventura. Takimi u vendos në minutën e 39′ kur Et’hemi fitoi një penallti me Boldor që bëri faull brenda zone. Shkurtaj nuk gaboi përballë Hoxhës dhe e pushoi topin në rrjetë për 1-0. Me këtë rezultat, të dy ekipet shkuan në dhomat e zhveshjes.
Lerda u zhgënjye nga futbollistët e tij dhe largoi Bardhin e Cordeiron për Çinarin dhe Solomon. Të dy i dhanë më shumë shpejtësi Partizani. Loja solli dhe nerva, pasi Solomon dhe Lulaj bënë sherr mes tyre. Sulmuesi i Partizanit goditi me kokë lojtarin e Kukësit që reagoi me duar. Jorgji u tregoi kartonin e kuq të dyve në minutën e 62′.
Pjesa e mbetur e takimit foli për Partizanin që ishte më kërkues, por që nuk ia doli të barazonte shifrat.